E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia e Fazlliç: Prokuroria ngatërroi emërtimet e kompanive të sekuestruara

 

TIRANE - Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar sekuestron e dy kompanive me përfaqësues ligjor, biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç, pa u njohur më parë me dokumentet ligjore të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Shoqërive Tregtare. Një fakt i tillë i konsideruar si absurd nga avokatët mbrojtës të Fazlliçit vunë në dyshime gjyqtarin e çështjes, Artan Broci, i cili duke iu referuar dokumenteve zyrtare ka arritur në konkluzionin se një prej dy kompanive me përfaqësues të vetëm ligjor Damir Fazlliç, që më datë 24 shtator të këtij viti, është shndërruar nga një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, në një shoqëri anonime. Pas kësaj gjyqtari Broci nisi shqyrtimin e kërkesëpadisë që avokatët e Fazlliç kanë depozituar në gjykatë, duke marrë në shqyrtim prova që kanë të bëjnë me bllokimin e dy shoqërive "Crown Acquisitions" sh.a dhe "Alfa" sh.p.k, me pronar të vetëm biznesmenin serbo-boshnjak. Ajo që ngjallur me shumë debat ishte fakti se prokurorët e çështjes, pasi nisën hetimet ndaj Fazlliç, nën akuzën e pastrimit të parave, nxorën urdhrin për sekuestrimin e llogarive bankare dhe shoqërive të tij pa siguruar më parë dokumentet në QKR. Sipas mbrojtësve të Fazlliç, organi i akuzës i kryeqytetit kërkoi bllokimin e pasurive të Fazlliçit në datat 9 dhe 10 tetor 2008, 14 ditë pas ndryshimit të përfaqësimit ligjore të "Crown Acquisitions" nga shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në shoqëri anonime. Pro-kurorët deklaruan se nuk kanë pasur dijeni për këtë ndryshim të aktit të përfaqësimit për shoqëritë e bllokuara dhe i kërkuan kohë gjykatës të njihen me to. Pas kësaj, gjykata vendosi të shtynte seancën gjyqësore për më datë 17 dhjetor, ndërkohë Prokuroria pohoi se po vazhdon hetimin ndaj Fazlliçit Nga dokumentacioni i depozituar në gjykatë, të cilit iu referua avokati Genc Gjokutaj, rezulton se Fazlliçi është përfaqësues ligjor i vetëm i dy kompanive "Crown Acquisitions" dhe "Alfa". Pas kësaj gjykata vendosi të heqë nga shqyrtimi i padisë objekt-gjykimi 6 kompanitë e tjera: "SRF Development shpk"; "Rompetrol-Albania sh.a"; "Virtu Acquisitions shpk"; "DF Trade Limited shpk"; "Reno Albania shpk" dhe "Rompetrol Distribution Albania shpk", për to Prokuroria ka kërkuar bllokimin me arsyetimin se Fazlliç është bashkëpronar.                         fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›