E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri që solli vrasjen, prej 6 muajsh

 

Dashamir Biçaku

Mosmarrëveshjet e pronësisë që shkaktuan dy të vrarë në Sauk mbrëmjen e të martës, kishin më tepër se gjashtë muaj që vazhdonin. Një sipërfaqe ullinjsh që viktima e vrasjes së dyfishtë Bexhet Xhabrahimi ia kishte dhënë në përdorim, autorit të krimit, Halim Shehu, mësohet se ka qenë shkaku i konfliktit. Policia po përpiqet të sqarojë nëse krimi ka ndodhur në momente të gjaknxehtësisë mes palëve apo ka qenë i paramenduar nga autori i vrasjes së dyfishtë, i cili pasi qëlloi tri herë më armë komshiun, ekzekutoi më pas edhe bashkëshorten e vet. Sipas hetimeve Halim Shehu, i arrestuar për ngjarjen, e kishte thirrur komshiun Bexhet Xhabrahimi për një kafe me argumentin, se duhej të sqaroheshin për pronësinë e parcelës së ullinjve. Fakti se 70-vjeçari ka qëlluar tri herë me armë sapo komshiu i është përgjigjur ftesës për të biseduar, sipas hetuesve lë vend për dyshime, se ngjarja ishte e planifikuar nga autori i saj.
Krimi i dyfishtë
Përsa i përket vrasjes së bashkëshortes nga vetë autori i krimit të dyfishtë, hetuesit mendojnë se ajo u qëllua nga 70-vjeçari pasi reagoi lidhur me vrasjen e fqinjit, që ishte ftuar si mik në shtëpinë e tyre. Hetuesit dyshojnë se pasi kishte vrarë komshiun, Halim Shehu, nuk ka duruar reagimet e gruas dhe ka qëlluar ndaj saj. Lajmi është bërë i ditur për gazetën "Panorama", nga burime të policisë së kryeqytetit, të cilat thanë se të zotët e dy shtëpive që ndodhen pranë njëra-tjetrës, kanë debatuar gjatë muajt e fundit për pronësinë e parcelës së ullinjve. Policia tha se prej më tepër se pesë vitesh, familja e Halim Shehut dhe djemtë e tij, kishin blerë një truall në zonën e ullinjve në kodrat e Saukut. Më pas ata kishin blerë edhe një shtëpi atje, në pronat e Bexhet Xhabrahimit. Veç sipërfaqeve që i ka shitur familjes së Halim Shehut, viktima e vrasjes Bexhet Xhabrahimi i kishte dhënë blerësit në përdorim edhe një sipërfaqe ullinjsh aty pranë. Kjo parcelë sipas burimeve të policisë ishte dhënë në përdorim Halim Shehut, i cili do të punonte për të mbledhur fytet e më pas prodhimi do të ndahej përgjysmë mes dy familjeve komshie me njëra-tjetrën. Sipas disa të afërmve që nuk preferuan të identifikohen, në shumë raste vajin e prodhuar nga ulliri i mbledhur dhe i përpunuar, të dy ata e çonin së bashku në punishte.
Mosmarrëveshjet
Ndërkaq, muajt e fundit Bexhet Xhabrahimi i kishte kërkuar "ortakut" të tij, që të mos merrte më prodhimin e parcelës, sepse kishte vendosur ta shfrytëzonte vetë. Por ndryshe nga kjo kërkesë, personi që nga shumë banorë të fshatit njihej si hoxhë për shkak të ceremonive mortore dhe riteve që ai kryente aty, nuk kishte pranuar. Ky reagim i 70-vjeçarit të akuzuar për krimin e dyfishtë, ka shkaktuar edhe krisjen në marrëdhëniet mes dy miqve, të cilat kishin qenë aq të ngushta saqë sipas dëshmive të dokumentuara nga policia, autori i vrasjes kishte drejtuar edhe ritet fetare në vdekjen e babait të Bexhat Xhabrahimit pas vdekjes së tij disa kohë më parë. Tri ditët e fundit, dy protagonistët e ngjarjes kanë debatuar për problemin e pronësisë pa arritur të gjenin marrëveshje.

KMSH: Halim Shehu s’është kuadri ynë

TIRANE - Komuniteti Mysliman i Shqipërisë reagoi dje ndaj lajmit të bërë publik në gazetën "Panorama", ku duke iu referuar burimeve të policisë dhe banorëve, thuhej se autori i krimit të dyfishtë në Sauk, njihej si hoxhë i zonës. "Komuniteti Mysliman i Shqipërisë bën të ditur se Halim Shehu nuk është kuadër i KMSH-së". Komuniteti fetar më i madh në vend, e konsideroi të pasaktë cilësimin e Halim Shehut si hoxhë, ndërsa kërkoi nga gazeta botimin e reagimit në fjalë. Bashkë me reagimin e Komunitetit Mysliman, i cili po bëhet tashmë publik, gazeta sqaron lexuesit se artikulli i atakuar nga KMSH, është bazuar në të dhëna zyrtare të marra nga policia dhe nga dëshmitë e marra verbalisht në vendin e ngjarjes nga dëshmitarët e krimit dhe banorët e zonës.

Zyrtarët e policisë: Autori njihej si hoxhë

Zyrtarë të policisë së Tiranës kanë pohuar dje për gazetën "Panorama", se Halim Shehu, autor i vrasjes së dyfishtë që ndodhi të martën në Sauk, njihej si hoxhë nga gjithë komuniteti që banonte aty. Madje, sipas policisë ai thërritej thuajse në të gjitha ritet fetare mortore dhe të tjera që banorët e fshatit kryenin në jetën e përditshme. Sipas zyrtarëve të policisë, Halim Shehu ka kryer ritet fetare edhe në banesën e familjes Xhabrahimi, kur babai i Bexhetit, kishte ndërruar jetë. Një fakt të tillë e ka pohuar vetë vëllai i viktimës gjatë dëshmisë së dhënë për policinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›