E Diel, 1 Nëntor 2026

Thimjo Kondi i shkruan kreut të Gjykatës së Lartë të SHBA-ve



Tiranë - Pas vizitës së suksesshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Gjykatës së Lartë i shkruan kryetarit të Gjykatës së Lartë të SHBA-ve, John G. Roberts, Jr. Sipas një njoftimi zyrtar pranë kësaj gjykate, kreu i Gjykatës, Kondi, i ka shprehur edhe një herë mirënjohjen z. John G. Roberts për mikpritjen që u bëri gjyqtarëve shqiptarë. “Pas kthimit në Shqipëri dua t’ju shpreh dhe një herë, në emrin tim dhe të kolegëve të mi gjyqtarë, falënderimet më të ngrohta dhe mirënjohjen e thellë për pritjen e jashtëzakonshme që na rezervuat gjatë vizitës tonë në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, - shkruhet në letër. Më tej ajo vijon: “Pritja Juaj, që ishte kaq miqësore dhe e përzemërt saqë unë nuk mund të gjej fjalët për ta përshkruar, la një përshtypje shumë të thellë tek të gjithë ne. Unë Ju siguroj se do të mbahet mend për një kohë të gjatë. Në veçanti vlerësojmë interesimin tuaj mbi ecurinë e Gjyqësorit shqiptar në rrugën e tij drejt ndërtimit të një shteti të qeverisur nga e drejta dhe sfidat tona për konsolidimin e tij në përputhje me standardet më të përparuara të vendeve perëndimore”. Po kështu, në letrën e tij miqësore, kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimjo Kondi, nuk ka harruar të shprehë mirënjohjen e thellë për fjalët e ngrohta dhe konsideratën e lartë që Roberts shfaqi veçanërisht për të. Sakaq, nëpërmjet kësaj letre, Kondi nuk ka ngurruar t’i kujtojë ftesën për të vizituar Shqipërinë në një kohë të afërt. “Më lejoni gjithashtu t’Ju falënderoj për pranimin e ftesës tonë për një vizitë në Shqipëri në një kohë të përshtatshme, duke marrë në konsideratë axhendën tuaj. Ne shpresojmë që kjo vizitë historike, që e presim me padurim, të zhvillohet në mundësinë e parë që do t’Ju jepet”. Kryetari i Gjykatës së Lartë gjithmonë është shquar për marrëdhënie korrekte dhe shumë të mira me homologët e tij të shteteve të huaja. Por, veçanërisht me përfaqësuesit e gjykatave amerikane. Shpeshherë një pjesë prej tyre kanë qenë pjesë e Konferencave Gjyqësore duke dhënë eksperiencën e tyre për përmirësimin e imazhit të Gjyqësorit në vendin tonë.

3 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›