E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cërrikut, avokatët debatojnë me prokurorin



Seanca e radhës ndaj bandës së Cërrikut ka dështuar për shkak të përplasjeve mes avokatëve dhe prokurorëve të çështjes. Pyetjet e prokurorit Anton Martini për të pandehurin Llazar Bicja u bënë shkak që avokatët mbrojtës të reagonin duke i cilësuar si sugjestionuese. Avokatët kërkuan që disa prej pyetjeve të mos pranoheshin nga gjykata pasi nuk ishin të formuluara siç duhet, e pak minuta pas kësaj të dyja palët avokatët nga njëra anë dhe prokurori nisën të debatojnë. Kolegji penal vendosi të largojë median nga salla për të qetësuar debatin mes avokatëve dhe prokurorit. Me gjithë këtë, sërish një nga avoaktët, Vjollca Pustina ka lënë sallën e gjyqit duke mos rënë dakord me pyetjet e prokurorit ndaj një të pandehurit. Prokurori ishte duke pyetur të pandehurin Llazar Bicja për vitin 1997, nëse kishte qenë ai gjatë trazirave në qytetin e Vlorës gjatë një mbledhjeje të kryer nga Komiteti i Shpëtimit të qytetit bregdetar. Por, i pandehuri këmbënguli disa herë se kishte qenë në Vlorë për shkaqe familjare dhe jo për atë mbledhje. Pikërisht pyetjet rreth kësaj mbledhjeje shërbyen që procesi të mos vijonte më tej.

7 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›