Ministria e Arsimit ka gati udhëzimet për kartat e studentit
Brënda këtij muaji Ministria e Asrimit dhe Shkencës, do të publikojë për universitetet udhëzimin e veçantë për pajisjen me Kartën e Studentit, një dokument përmes të cilit studentët e arsimit publik dhe jopublik do të përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara. Për hartimin e projektit për Kartën e Studentit, MASH ngriti një grup pune i cili ka ndjekur shembujt më të mirë të rajonit e Europës. Përfitimet e studentëve nga përdorimi i Kartës së Studentit do të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit të MASH. Zbatimi i Kartës së Studentit, konsiderohet nga Qeveria Studentore si një domosdoshmëri që do të ndihmojë në përfitimet që do të kenë studentët, por edhe në mënyrën se si universiteti menaxhohet. Përsa i përket mënyrës së menaxhimit ajo do të shërbejë në identifikimin e studentëve dhe krijimin e bazave të të dhënave mbi studentët. Në lidhje me përfitimet, Qeveria Studentore rekomandon se duhet të negociohet me aktorë të ndryshëm publikë e privatë (grupe interesi të arsimit publik ose jo) për t'i krijuar mundësinë studentëve që të kenë avantazhe të ndryshme financiare (si për shembull ulje në çmime), në veprimtari të ndryshme, me anë të përdorimit të Kartës së Studentit. Ky dokument i miratuar dy vite më parë është një hap drejt përcaktimit të një statusi më të privilegjuar të studentit në shoqëri, ashtu siç ai trajtohet në të gjitha shoqëritë demokratike moderne. Referuar vendimit, Karta e Studentit lëshohet për një periudhë 1-vjeçare, kundrejt një pagese. Dokumenti i Kartës së Studentit do të jetë i formatit ID1, i pajisur me elemente të sigurisë dhe do të përmbajë: emrin, mbiemrin e studentit; datëlindjen; universiteti, dega, viti; numri i serisë së Kartës së Studentit; data e lëshimit të Kartës së Studentit; periudha e vlefshmërisë.
...