Nis faza e dytë e studimit të planit strategjik të Tiranës së madhe
Bashkia e Tiranës ka nisur fazën e dytë të studimit të Planit Strategjik për Tiranën e Madhe, që parashikohet të përfundojë në vitin 2012. Burime nga Bashkia e Tiranës bënë të ditur “Ky plan parashikon një hapësirë prej 400 kilometrash katrorë, brenda së cilës do të përfshihen edhe 5 zonat informale në pritje për legalizim, që do t'i shtohen kufijve të kryeqytetit”. Studimi i detajuar për hartimin e Planit Strategjik për Tiranën e Madhe, që përfshin mënyrën e zhvillimit të metropolit shqiptar në një hapësirë prej 400 kilometrash katrorë, ka një vlerë fillestare prej 340 milionë USD, 50 për qind të së cilës do ta financojë qeveria shqiptare. Plani për këtë studim u votua në KRT-në e Qarkut Tiranë në 2004, ndërkohë që është depozituar që në vitin 2005, pranë sekretariatit të KRRTRSH-së. Studimi i kësaj hapësire përfshin pjesë të juridiksioneve administrative të qeverisjes vendore si: Bashkia Tiranë, Kamza, Vora, Komuna e Farkës, Vaqarri, Kashari, Bërxulla, Zall-Herri, Paskuqani, Preza dhe Dajti. Po sipas të njëjtave burime '' Realizimi i këtij projekti do t'u sjellë fund përplasjeve për sa i përket vijës së verdhë të Tiranës me komunat përreth, pasi e gjithë kjo sipërfaqe që do jetë pjesë e këtij studimi, do të trajtohet si një zonë e tërë”. Plani strategjik për Tiranën e Madhe do kalojë në tri faza. Në fazën e parë, që nisi në 2002 dhe vazhdoi deri në vitin 2008, studimi u përqendrua në korridorin midis autostradës dhe Lumit të Tiranës, Kodër-Kamzë, pjesa lindore e Yzberishtit dhe kuadratin veriperëndimor të qendrës së Tiranës. Faza e dytë, 2009-2012 po përqendrohet në Kamzë, Paskuqan dhe Sauk. Ndërsa, faza e tretë, që do të vazhdojë në periudhën 2013-2017, synon zonat lindore të Bashkisë së Tiranës dhe zgjerimin e zonës së Yzberishtit.
...