E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Arsimit pranon se 40 mijë fëmijë braktisnin shkollën për shkaqe ekonomike

Rreth 6-7 mijë fëmijë i braktisin për çdo vit bangat e shkollës
Shifra alarmante publikohen për numrin e fëmijëve që kanë braktisur shkollën për të punuar në vendin tonë. Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës vërtetohet se rreth 40 mijë fëmijë shqiptarë kanë braktisur shkollën vetëm për të punuar. Të dhënat zyrtare të mbledhura nga ku fenomen dëshmojnë se këta të mitur, vendosin të mos frekuentojnë rregullisht arsimin e detyruar, pasi zgjedhin të punojnë dhe të kontribuojnë në ekonominë e familjes së tyre. Akoma dhe më shqetësues është fakti se 6-7 mijë fëmijë të tjerë braktisin çdo vit shkollën. Në ditën ndërkombëtare të luftës kundër punë së fëmijëve, organizata ndërkombëtare e punës, ka publikuar shifra të përhapjes së këtij fenomeni në botë. Sipas këtyre statistikave rezulton se 165 milion fëmijë të moshës 5-14 vjeç punojnë. Mes këtyre 74 milion janë të ekspozuar në punë të rrezikshme. Të dhënat më të fundit ndërkombëtare tregojnë gjithashtu se, 72 milion fëmijë të moshës 6015 vjeç nuk rezultojnë të regjistruar në shkolla.
Shkaqet ekonomike i largojnë fëmijët nga shkolla
Sindikalistët kanë deklaruar se në vendin tonë numërohen 40 mijë fëmijë të cilët punojnë në të zezë, dhe 7 mijë prej tyre kanë braktisur shkollën. Kreu i Sindikatës së Arsimit, Xhaferr Dobrusha thotë se këta fëmijë punojnë në ndërtim, bujqësi por edhe në lavazhe apo në tekstile. Gjendja e vështirë ekonomike detyron edhe djemtë dhe vajzat të braktisin shkollën. Këto të fundit për shkak të mentalitetit të familjes martohen që në klasë të tetë dhe më pas një pjesë e tyre largohen nga shkolla për të ndihmuar familjen.
Braktisja e shkollës, për shkak të punës që kryejnë fëmijët, është më e hasur në komunitetin rom dhe egjiptian, rezulton nga një studim i kryer nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për shkaqet që favorizojnë analfabetizmin në vendin tonë, në bashkëpunim me UNICEF dhe shoqatën 'Save the Children'. Nga studimi rezultoi se fëmijët romë që punojnë i përkasin moshës 3- 16 vjeç dhe përbëjnë rreth 4654 fëmijë. Përmes rekomandimeve të këtij studimi MASH ka përcaktuar zonat më të ndjeshme se ku duhet ndërhyrë dhe tashmë po zbatohet një plan veprimi konkret. Masat për parandalimin e këtij fenomeni harmonizohen në zhvillimin e kurseve, mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët romë 3-5 vjeç, krijimin e klasave të integruara për eliminimin e braktisjes së shkollës nga romët, etj. Sipas MASH, masat për mosbraktisjen e shkollës nga fëmijët kanë nisur me projektin "Cilësi dhe Barazi në Arsim", i mbështetur nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë. Ky projekt përbën një nga prioritetet strategjike të MASH gjatë viteve 2007-2010, pasi harmonizon objektivat e Qeverisë për një arsim cilësor dhe me akses për të gjithë nxënësit bazuar në objektivat e strategjisë kombëtare të arsimit.
Në të gjithë botën, 74 milion fëmijë janë të punësuar
Fëmijët në të gjithë botën janë të detyruar të punojnë. Një ndër shkaqet kryesore mbetet mungesa ekonomike që ato kanë në familje dhe janë të detyruar të punojnë megjithëse ende nuk e kanë mbushur moshën. Për shumë fëmijë, veçanërisht fëmijë të familjeve të varfra në të gjithë botën, e drejta e arsimimit mbetet një koncept abstrakt, shumë larg nga realiteti i përditshëm. Ka 165 milionë fëmijë 5- 14 vjeç që punojnë. Ndër ta 74 milionë fëmijë, pjesa me e madhe vajza, janë të ekspozuar në punët e rrezikshme, tregojnë të dhënat e fundit të ILO-s.

*********************************************************
Fëmijë që shesin për bukën e gojës
Janë të shumtë fëmijët që shesin në rrugët e kryeqytetit. Akoma pa i mbushur 9 apo 10 vjeç ato fëmijë bredhin tërë ditën në rrugët e Tiranës vetëm për të fituar bukën e gojës. Dikush merr në krahë një kuti me paketa, një tjetër me karikues e me çakmakë, por ka edhe nga ata që dalin për të shitur vetëm një kaush me bajame. Ju mjafton ideja se dikush do ti japë 20 lekë të reja dhe janë të gatshëm të ecin për orë të tëra në shumë rrugë të qytetit. Për ta nuk ka rëndësi nëse është ftohtë, shi apo ngrohtë e rëndësishme është që ato të mbledhin dy lekë që ti dorëzojnë në shtëpi e të hanë një kothere bukë atë natë. Të gjithë këta fëmijë janë të detyruar të punojnë edhe pse në moshë të vogël për shkak të kushteve të këqija ekonomike. Vajza me inicialet F.D, e cila ende nuk kishte mbushur 10 vjeç na tregoi se si ajo kishte nisur të shiste bajame e pastaj edhe paketa e çakmakë në rrugët e Tiranës. Me sytë e trembur ajo nis të na thotë se në shtëpi janë 5 fëmijë. Jetojnë në zonën e Bathores dhe gjendja e tyre ekonomike është shumë e keqe. Më tej ajo vijon: Mami dhe babi janë pa punë, punojnë vetëm disa ditë në muaj. Vëllai dhe motra e madhe punojnë në një fabrikë këpucësh, ne të tjerët dalim në rrugë dhe shesim çfarë të mundemi. Kur isha më e vogël shisja vetëm bajame, pastaj nisa të ndihmoja dy vëllezërit me paketat dhe çakmakët. Fitojmë pak para, por bukë hamë. Ato para që fitojmë nuk i shpenzojmë asnjëherë vetë, por i dërgojmë në shtëpi dhe ja japim babit e mamit. Këtë vit unë lashë edhe shkollën bashkë me të dy vëllezërit që janë pak më të mëdhenj se unë. Kisha shumë qejf të shkoja në shkollë por nuk i blija dot librat dhe duhet të shisja gjërat në rrugët dhe lokalet. Më vjen keq kur më bërtasin dhe më shtyjnë njerëzit. Si kjo vogëlushe ka shumë të tjerë që nuk ulen në bankat e shkollës por rraskapiten për dy para rrugëve të qyteteve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›