FDE ndan me pedagogë e studentë “BRAIN STAND”, qëndrimin, vlerësimin dhe lartësimin e trurit shqiptar
TIRANË - Forumi për Demokraci dhe Etikë, në kuadër të fushatës sensibilizuese “Brain Stand” për qëndrimin, vlerësimin dhe lartësimin e trurit shqiptar, organizoi dy ditë më parë në Hotel Tirana International një takim me akademikë, profesorë, politikanë dhe studentë të universiteteve publike dhe private në Shqipëri. Në panelin e këtij takimi ndodheshin të ftuarit dr. Nebi Bardhoshi, nëndrejtor i FDE-së dhe përfaqësues i botës akademike; Eris Hoxha, deputet i PDSH-së; Besnik Dervishi, deputet i PSSH-së; Gjergj Sinani, profesor pedagog në Universitetin Shtetëror të Tiranës; dr. Erion Kristo, pedagog në universitete jopublike dhe Edmond Vlashi, sipërmarrës i arsimit jopublik. Drejtori Ekzekutiv i FDE-së, Arian Galdini, tha se nisma “BRAIN STAND” ka nisur nga FDE-ja që më 7 mars me dëshirën dhe synimin tonë për të qenë aktorë dhe autorë të një procesi këmbëngulës ndryshimi për vlerësimin dhe lartësimin e trurit shqiptar. “Ka ardhur koha që ne të gjithë së bashku të ngremë zërin që studentët dhe diplomat shqiptare të vlerësohen jo nga kartoni, por duke iu referuar kurrikulave dhe kualitetit që sjellin universitetet shqiptare. Njëkohësisht edhe mendimi shqiptar dhe kërkimi shkencor shqiptar duhet të ngrihet në një lartësi që ato të gjenerojnë mendime, që Shqipëria të bëhet pse jo edhe eksportuese e mendimit dhe e vlerave, duke parë thellë në rrënjët e saj, por edhe duke e ndërthurur me përvojat europiane, çka do të na çojë në një rrugë të shëndetshme drejt Bashkimit Europian”, -vijoi Galdini. Sipas tij “sa më shumë forcë dhe dinjitet t’i japim universiteteve publike dhe private në vend, aq më mirë është për ne. Nuk duhet të krijojmë privilegje për ata që vijnë nga studimet jashtë Shqipërisë, por të krijojmë kushte të barabarta mes tyre dhe atyre që studiojnë këtu”. Sipas tij, “ka ardhur koha që vendi ynë të mos jetë eksportues dijesh, ndaj dhe motoja jonë është: ‘Unë jam, unë mundem’”. Më pas e ka marrë fjalën nëndrejtori i FDE-së dr. Nebi Bardhoshi, i cili theksoi se “duhet të ekzistojë hierarkia e vlerave. Kjo na detyron të marrim nisën e aleancës së madhe të mirëbesimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve shtetërore. Kemi marrë një hap konkret me nismën BREIN STAND. Dihet që pas vitit 1991, bashkë me ikjen masive të popullsisë, ikën edhe intelektualët. Pra ndodhi ajo që ne e quajmë ikja e mendjes. Kemi një politikë të gjetur për dekomunistizimin e kurrikulave apo me strategjinë BAIN GAME dhe nisma të tjera”. Profesor Gjergj Sinani theksoi se “duhet të mbështetemi në tri parime; publicitetin e barabartë për të gjithë, pjesëmarrjen e njerëzve në vendimet që merren për fatin e tyre dhe konkurrencën mbi bazën e vlerave”. Deputeti i PD-së, Eris Hoxha, evidentoi se nuk duhet të krijohet përshtypja se ka një përplasje mes BRAIN STAND dhe BRAIN GAME, që sipas tij nuk ekziston. “Është e vërtetë që preferohen studentët që studiojnë jashtë, por kjo bëhet nga sektori privat dhe jo ai publik. Kjo ka të bëjë me atë që universitetet tona kanë mungesë tradite”, - vijoi Eris Hoxha, deputet i PDSH-së. Deputeti i PSSH-së Besnik Dervishi, theksoi si domosdoshmëri investimet në arsim, të cilat sipas tij duhet të jenë katërfish më të mëdha. Në vijim të debatit zoti Edmond Vlashi, sipërmarrës në arsimin jopublik, evidentoi faktin se institucionet arsimore private janë të paragjykuara për cilësinë e mësimdhënies, por, sipas tij, kjo nuk është e vërtetë, por që realisht dëmton imazhin e tyre. Spiro Curra, anëtar i Bordit të FDE-së, një prej njerëzve më të njohur të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ‘90, tha se “kemi ndjekur debatet që janë bërë për arsimin ku evidentohet se qytetarët kanë më shumë ambicie se vetë politika, por kjo është krijuar rrethimi demokratik i politikës për të realizuar projekte të mëdha”.
16 Mars 2009