E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Brendshme: 500 mijë shqiptarë kanë aplikuar për karta

Autori i Lajmit: red.
Ministria e Brendshme deklaroi dje në mesditë se procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime elektronike po ecën me ritme të kënaqshme duke hedhur në këtë mënyrë alarmin e Partisë Socialiste për dështim të procesit. Zëdhënësi i MB-së, Fatmir Konja, tha se mbi gjysmë milion shqiptarë që kanë aplikuar deri më tani, kanë dhënë kontributin e tyre për realizimin me sukses të aksionit të madh kombëtar për pajisjen e shtetasve me dokumentet e reja të identitetit. Duke u ndalur në shifrat, Konja saktësoi se kanë aplikuar deri më tani mbi 500 mijë qytetarë, janë prodhuar 403 744 letërnjoftime elektronike, nga të cilat 306 560 janë dërguar në zyrat e shpërndarjes. Ndërkohë Konja sqaroi se pranë zyrave përkatëse janë dërguar të gjitha letërnjoftimet për aplikimet deri më 31 mars. Nga ana tjetër, MB ka lëshuar një tjetër apel: “Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që kanë aplikuar, të paraqiten pranë këtyre zyrave për të tërhequr letërnjoftimet”, - citoi Konja ftesën e MB. “Thirrjen më të rëndësishme e më këmbëngulëse ua drejtojmë personave që nuk disponojnë pasaportë dhe ende nuk kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik”, - theksoi Konja. Ndërsa sugjeroi: “Aplikoni dhe pajisuni me letërnjoftimin elektronik që të përfitoni nga prioriteti dhe lehtësitë e vëna në dispozicion nga qeveria”.
Ky lajm është publikuar: 15/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›