E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Zgjedhjet drejt dështimit, Berisha të marrë masa

Autori i Lajmit: Suela Topi
Partia Socialiste i lë afat Qeverisë që të zgjidhë problemin e kartave të identitetit brenda muajit prill. Në rast të kundër sipas saj, procesi mund të quhet i dështuar po ashtu dhe zgjedhjet. Nënsekretari për Çështjet Ligjore, Damian Gjiknuri, pohoi dje se duhet ndryshim radikal për pajisjen me karta. Ai i pohoi se Kryeministri në vend që të ofrojë zgjidhje të pranueshme për problemin që tashmë vetë e pranon, ofron skema që më shumë e kompromentojnë dhe çorientojnë procesin, se sa e zgjidhin atë. Gjiknuri shtoi se një vend anëtar i NATO-s do të linte mënjanë demagogjitë për të gjetur një zgjidhje reale të problemit.
Deklarata
“Jemi përsëri sot këtu për të dhënë alarmin se situata me procesin e pajisjes me letërnjoftime tashmë ka hyrë në fazën më kritike. Kjo për arsyen e thjeshtë se, nëse nuk ndërmerret një ndryshim radikal në lidhje me politikën e pajisjes së shtetasve me letërnjoftime brenda muajit prill, procesi përfundimisht dështon, dhe bashkë me të edhe çdo grimcë legjitimiteti për zgjedhjet”, - tha ai. Gjiknuri tha se deklarimet dhe propozimet që serviri Kryeministri dy ditë më parë, përfundimisht konfirmojnë ekzistencën e problemit që Partia Socialiste ka kohë që e ka bërë prezent, problem ky që po rrezikon seriozisht procesin e ardhshëm zgjedhor. Por sipas tij, Kryeministri në vend që të ofrojë zgjidhje të pranueshme për problemin që tashmë vetë e pranon, ofron skema aplikimi që më shumë komplikojnë dhe e çorientojnë se sa zgjidhin problemin, duke anashkaluar çështjen themelore, atë të pamundësisë ekonomike për pagesën fillestare të letërnjoftimit. “Gjithashtu, Kryeministri në vend që të ofrojë mirëkuptim dhe të punojë për zgjidhjen e një problemi që i takon ta zgjidhë vetëm qeveria e tij, bën diversione politike duke akuzuar opozitën për bërjen publike të problemit që tashmë vetë qeveria po e pranon se ekziston”, - tha Gjiknuri. Nënsekretari për Çështjet Ligjore në PS, theksoi se partia që ai përfaqëson është më e interesuar se kushdo për pajisjen në kohë të zgjedhësve pa pasaportë me letërnjoftime, me qëllim zhvillimin e zgjedhjeve të lira. “Nën dritën e këtij qëllimi, me kohë i propozuam qeverisë adresimin e kësaj kategorie që kur ky proces filloi. Gjithashtu, nuk është e rastit, që të gjithë partnerët ndërkombëtarë, i kërkojnë njëzëri qeverisë së vendit më të ri anëtar të NATO-s, të gjejë zgjidhje për një problem që varet plotësisht prej saj, dhe që mund të cenojë themelin e çdo demokracie, zgjedhjet e lira”, - deklaroi më tej ai. Gjiknuri pohoi se PS është e bindur se është Qeveria ajo që duhet të ofrojë zgjidhjen për pajisjen e shtetasve me letërnjoftim në mënyrë që të mos cenojë të drejtat e tyre kushtetuese për zgjedhje dhe heqjen sa më parë të taksës së votës. “Një qeveri e një vendi anëtar të NATO-s do ta linte mënjanë demagogjinë, dhe do të përballej me dinjitet me realitetin problematik që ajo e ka krijuar, por që zgjidhja e tij u përket të gjithë shqiptarëve”, - theksoi ai. Gjiknuri theksoi se çdo masë radikale për adresimin e situatës dhe për një interes të qenësishëm publik, jo vetëm që është detyrim kushtetues, por do të shpëtonte përfundimisht zgjedhjet e lira nga dështimi i sigurt, e bashkë me to edhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Ky lajm është publikuar: 15/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›