Pagat e buxhetorëve dhe pensionet, qeveria bën sefte buxhetin 2010
Ervin KOÇI
Pagesat e pa dhëna të pagës së dhjetorit 2009 për administratën dhe të pensioneve dhe shpërblimeve, kanë inauguruar buxhetin e ri të vitit 2010. Financat e shtetit kanë nisur të funksionojnë me buxhetin e ri që në ditët e para të vitit 2010, por bashkë me fondet e programuara ato kanë futur duart edhe në fondet rezervë. Burimet në Ministrinë e Financave pohuan se, “thesari ka nisur të veprojë me arkëtimet dhe derdhjet e vlerave monetare, sipas parashikimeve të buxhetit të vitit 2010”. Por ndryshe nga dy vitet e shkuara buxheti i këtij viti nuk ka mbartur suficite. Efektet e krizës globale kanë frenuar ritmet e rritjes së mbledhjes së të ardhurave, ndërkohë që është përmirësuar ndjeshëm situata në drejtim të shpenzimeve. Të njëjtat burime në financa pohuan se, “buxheti i vitit 2010 ka të gjitha burimet e të ardhurave për të garantuar parashikimet në buxhet që përfshijnë investimet, shpërndarjen e rrogave dhe pensioneve dhe përballimin e emergjencave civile”. Të ardhurat e parashikuara në buxhetin e vitit 2010 janë 361 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet arrijnë në masën 416 miliardë lekë, duke bërë që deficiti të parashikohet më i ulët me rreth 3.8 për qind në krahasim me vitin që lamë pas.
Shtesat
Qeveria parashikoi vitin e kaluar, që për 2010-n të shtonte në buxhet 600 milionë dollarë më shumë, krahasuar me buxhetin e vitit 2009. Buxheti i këtij viti për herë të parë parashikon një fond për zhvillimin rajonal, i cili sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave do të përfshijë një shumë prej 50 milionë eurosh. Për menaxhimin e kësaj shume do të ngrihet një autoritet i posaçëm që do të integrojë në rajone të veçanta, të gjitha investimet e pushtetit qendror që lidhen me infrastrukturën, ujitjen, pyjet dhe furnizimin me ujë. Projektet për zona të veçanta nuk do të zhvillohen në mënyrë të pavarur, por do të integrohen me njëra-tjetrën në interes të zhvillimit rural. Vendosja e një kupole për të gjithë projektet buxhetore rajonale, duke krijuar një autoritet për një koordinim të plotë të tyre, është një risi e buxhetit të vitit 2010.
Fondet lokale
Për të inkurajuar zhvillimin ekonomik, nga njësia më e vogël administrative, që është komuna, bashkia e deri në nivel qarku, është e nevojshme që politikat buxhetore kombëtare të harmonizohen me politikat buxhetore vendore. Sipas Ministrisë së Financave, ky fond do të krijohet duke mbledhur fonde nga ministrat e linjës, të cilët investojnë në nivel vendor. Krijimi i fondit përveçse ka avantazhin e përqendrimit të tyre duke shmangur fragmentimin, rrit edhe shkallën e decentralizmit në vendimmarrjen e pushtetit lokal.
Rrogat dhe pensionet
Qeveria megjithëse nuk ka ndarë akoma pagën e dhjetorit të vitit të kaluar për buxhetorët, si dhe pensionet dhe shpërblimet për pensionistët, nuk ka nguruar të deklarojë rritjen e radhës për to. Sipas Ministrisë së Financave, nga 1 korriku i vitit 2010 do të ketë një rritje të pagave dhe pensioneve. Buxheti ka programuar që rritja e fondeve për programet sociale të qeverisë për vitin 2010 të jetë me 16 për qind, pra me një rritje shumë herë më të lartë nga rritja e zërave të tjerë në buxhet. Kjo masë sipas Financave është bërë për të marrë në mbrojtje pikërisht ata që do të ekspozohen më shumë nga presioni i krizës financiare globale dhe nga ngadalësimi i përkohshëm i ritmeve të rritjes ekonomike të vendit. "Në buxhet janë programuar rreth 2.2 miliardë lekë, ose 25 milionë dollarë për të kompensuar tërësisht efektet e mundshme që do të vijnë nga rritja e çmimit të energjisë, e cila është tërësisht një rritje e moderuar dhe që për shtresat më të ekspozuara sigurisht që do të ketë më shumë kosto",- sqarojnë burimet zyrtare në Financa.
Tuneli i rrugës Durrës-Kukës pritet të hapet në pranverë
Tuneli i rrugës Durrës-Kukës pritet të hapet në pranverë. Lajmin e konfirmoi ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. Ky i fundit ishte i ftuar në një spektakël televiziv festiv në Kosovë. Interesit të kosovarëve për të marrë vesh se kur do të hapet tuneli për të mundësuar lëvizjen e tyre, Olldashi iu përgjigj se do të ndodhë në pranverë. “Ne e hapëm tunelin, por për t’u mbyllur ai u mbyll vetë, pasi pësoi shembje. Do duhen rreth tre muaj për t’u rihapur”,- ka deklaruar ministri Olldashi. Tuneli u mbyll për qarkullimin e mjeteve në tetor të vitit të shkuar, ndërsa pësoi shembje të konsiderueshme në nëntor. Kompania turke “ENKA”, e cila po punon për ndërtimin e tunelit, ka përcaktuar si afat për përfundimin e punimeve, qershorin e këtij viti. Asnjë zyrtar nuk jep një datë të saktë të rihapjes së rrugës për qarkullim. Projekti i rrugës Rrëshen-Kalimash ka kushtuar 800 milionë deri në 1 miliard euro gjatë tre viteve të fundit.
6 Janar 2010