E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzon kërkesën e avokatëve të Kumbaros

Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi dje kërkesën e dy avokatëve të Ilir Kumbaros për ndryshim të trupit gjykues. Kështu, pas vendimit të djeshëm, të njëjtët gjyqtarë do të vazhdojnë të gjykojnë dosjen e Remzi Hoxhës, biznesmenit shqiptaro-maqedonas i zhdukur në vitin 1995 në vendin tonë. Një seancë më parë, avokati Bledar Fejzo e arsyetoi kërkesën e tij të bazuar në ligj pasi, sipas tij, kryesuesi i trupit gjykues kishte dhënë një seancë më parë masën e sigurisë arrest në burg për Kumbaron dhe për këtë arsye nuk mund të vazhdonte të gjykonte sërish këtë çështje. Më pas seanca vijoi me kërkesa nga të dyja palët në proces. Në seancë, prokurori i çështjes kërkoi nga gjykata të revokohet vendimi për të marrë në pyetje përmes letër-porosisë në Holandë, Avdyl Loshajn, i mbijetuar nga torturat e SHIK-ut në Kune dhe Vain të Lezhës. Për arsye sigurie muaj më parë ishte vendosur kjo procedurë, që dje u kundërshtua nga Prokuroria duke kërkuar marrjen e tij në pyetje në vendin ku ai jeton. Sipas përfaqësuesit të akuzës, trupi gjykues që po shqyrton dosjen duhet të shkojë në Holandë për të marrë në pyetje Loshajn. Ndërkaq, një tjetër kërkesë e organit të akuzës është marrja në pyetje e ish-oficerit të SHIK-ut, Riza Shehu, i kërkuar prej muajsh, ndërsa është sinjalizuar që ai jeton në Itali.
Për të dyja këto kërkesa Gjykata do të shprehet në seancën e radhës. Për “torturimin” dhe “rrëmbimin me pasoja të rënda” për Remzi Hoxhën, Ziso Kristopullin dhe Avdyl Loshajn, janë të akuzuar Arben Sefgjini, ish-drejtori i SHIK-ut për degën e Tiranës; Ilir Kumbaro ish-drejtor i SHIK-ut në Drejtorinë Qendrore; Avni Koldashi ish-shef i bazës së vëzhgimit; si dhe Budjon Meçe, ish-inspektor.

6 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›