Dobjani i shkruan Nishanit: “Zbatoni vendimet e Gjykatës”
Dhjetëra ankesa te Avokati i Popullit nga ish-zyrtarët e papunë. Dhjetëra procese të fituara ndaj shtetit, kosto që rëndojnë në buxhet
Laureta Rryçi
Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i kërkon ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, të ekzekutojë vendimet e gjykatës për rikthimin në detyrë të ish-zyrtarëve. Pas ankesave të shumta të mbërritura në institucionin e Avokatit të Popullit, Dobjani nuk ka ngurruar t’i shkruajë në rrugë zyrtare një prej ministrave të kabinetit të qeverisë “Berisha”, duke i kujtuar se ekzekutimi i këtyre vendimeve nuk është gjë tjetër veçse zbatimi i Kushtetutës. Sipas shkresës së Dobjanit, prej ankesave është njohur se ish-zyrtarët jo vetëm kanë arritur të fitojnë në Komisionin e Shërbimit Civil, por edhe në të tria shkallët e Gjyqësorit dhe sërish e kanë të pamundur të rikthehen në detyrë. Në ankesat e qytetarëve shpesh është kërkuar edhe marrja e pagave dhe dëmit financiar që iu është shkaktuar me largim pa të drejtë nga puna. Ky fenomen vitet e fundit është bërë shumë shqetësues në vendin tonë dhe pothuajse ka prekur të gjitha ministritë apo institucionet e tjera vendore. Këtë e tregojnë më së miri numri i lartë i padive që depozitohet çdo ditë nëpër gjykata.
Reformat
Reforma politike në administratë ka mbartur me vete një kosto financiare që e paguan padrejtësisht secili prej nesh. Heqjet me pa të drejtë nga puna kanë detyruar dhjetëra ish-zyrtarë t’i drejtohen Drejtësisë për të rifituar të drejtën që u jep statusi i nëpunësit civil. Gjyqe këto në të shumtën e rasteve që janë fituar prej tyre, madje dhe duke u dëmshpërblyer. Kështu, veprimet politike e kthejnë shtetin menjëherë në debitor dhe ai që i paguan është sërish qytetari. Sipas statistikave të Gjykatës së Tiranës, gjatë këtyre viteve të fundit janë regjistruar me mijëra padi me objekt rikthimin në detyrë. Të gjendur përballë vendimeve politike që marrin zakonisht drejtuesit e ministrive sapo marrin pushtetin, ish-nëpunësit i drejtohen gjykatës duke e provuar heqjen e padrejtë nga puna. Kryesisht duke u bazuar dhe në vendimet që kanë dhënë deri tani gjyqtarët, pjesa më e madhe e padive janë pranuar duke u dhënë kështu të drejtë ankuesve.
Dhjetëra padi civile me objekt marrëdhëniet në punë depozitohen çdo ditë në Gjykatën e Tiranës. Fenomeni që ka vite që ndodh pëson ulje-ngritjet e veta. Gjatë ndërrimit të pushteteve kurba e padive pëson rekordin e saj duke kapur pikat më të larta. Reforma në administratë, për arsye politike deri tani ka gjetur si zgjidhje vetëm hapjen e një procesi civil duke kërkuar ligjërisht të drejtën që u takon. Shpeshherë këto procese zgjasin disa seanca, pasi juristët e ministrive nuk janë dhe aq korrekt në gjyqe. Megjithatë, gjyqtarët përballë fakteve që sjellin të dyja palët kanë gjykuar se ankuesit kanë pasur të drejtë dhe se largimet e tyre nga detyra kanë qenë në kundërshtim me statusin e nëpunësit civil.
Proceset
Përfundimi i procesit në shkallën e parë sërish nuk i jep të drejtë palës fituese. Juristët e institucioneve shtetërore, të gjendur përballë procesit të humbur në fazën e parë, vendosin të apelojnë duke e shtyrë sa më shumë ditën kur vendimi merr formën e prerë dhe shteti kthehet menjëherë debitor ndaj qytetarit. Në të shumtën e rasteve procese të tilla civile në të tria shkallët i kanë kaluar edhe tre vite derisa kanë marrë formën e prerë. Vetëm atëherë ish-nëpunësi ka kërkuar institucioneve përkatëse që ta dëmshpërblejë atë financiarisht dhe me rikthim në detyrë.
Studimi për rikthimin në punë
Studimi më i fundit ka zbardhur për herë të parë paditë në gjykatë për marrëdhënie pune. Në këtë studim u evidentuan qytetet më problematike, por për shkak dhe të institucioneve qendrore që janë në kryeqytet, numri i madh i padive i përkiste Tiranës. Sipas këtij studimi thuhej se më shumë largime kishte pasur gjatë vitit 2006. Shifra këto që u përkisnin largimeve për shkak të reformës politike si në administratë, ashtu edhe në radhët e uniformave blu. Sipas të dhënave që janë kalkuluar nga specialistë gjatë viteve në vazhdim, numri i të larguarve ka ardhur në zbritje. Në total numri i padite nga viti 2006 e deri në fundit të vitit 2008 është 5674.
Një nga ankesat...
Një nga ankesat për rikthim në detyrë që është veçuar nga Avokati i Popullit ka të bëjë me një ish-zyrtare, e cila, me gjithë vendimet pozitive të Komisionit të Shërbimit Civil dhe shkallëve të Gjyqësorit, sërish është e papunë. Me rastin në fjalë Dobjani ka njohur dhe ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani. Konkretisht, pranë institucionit të Avokatit të Popullit ka paraqitur ankesë shtetasja A. A., në të cilën ngre shqetësimin e saj për zvarritjen dhe mosekzekutimin e Vendimit Gjyqësor Nr. 94, datë 14.07.2008 të dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë, sipas të cilit është lënë në fuqi Vendimi Nr. 46, datë 12.02.2008, i Komisionit të Shërbimit Civil, ku është vendosur detyrimi i Ministrisë së Drejtësisë të kryejë rikthimin e ankueses në vendin e mëparshëm të punës, si dhe të paguajë pagën për kohën e qëndrimit pa punë. Sipas konfirmimit të kryer nga Zyra Përmbarimore, Tiranë, në Shkresën Nr. 3276 prot., datë 09.03.2009, rezulton se, ministri i Drejtësisë paraardhës, për çështjen në fjalë, është shprehur kundër ekzekutimit të këtij vendimi gjyqësor dhe se do të bëhet kërkesë në Gjykatë për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore. Në kushtet kur qëndrimi i mbajtur, ndaj detyrimit për zbatimin e Titullit Ekzekutiv Nr.46, datë 12.02.2008, nuk ka shkak ligjor që e justifikon, institucioni i Avokatit të Popullit, me Shkresën Nr. K2/A15-8, datë 26.03.2009, i ka rekomanduar Zyrës Përmbarimore, Tiranë vendosjen e sanksioneve ligjore ndaj personave që nuk kryejnë veprimet përkatëse për ekzekutimin e titullit ekzekutiv konform përcaktimeve të kryera në Nenin 606, si dhe kryerjen e procedurave përmbarimore sipas përcaktimeve të kryera në Nenin 589 të K.Pr.C.
Konstatohet se Zyra Përmbarimore, Tiranë deri sot nuk ka kryer përmbushjen e detyrimit ligjor. “Nga analiza në tërësi e kësaj çështjeje, duke e vlerësuar të drejtë dhe të bazuar në ligj këtë ankesë, Avokati i Popullit kërkon edhe njëherë t’ju sjellë në vëmendjen Tuaj detyrën tuaj funksionale dhe kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të shtetasve, të cilat cenohen nga veprimet e parregullta e të paligjshme të organeve dhe funksionarëve të administratës publike, qendrore dhe vendore”, - shkruan Dobjani. Mosrespektimi i të drejtës së ankueses brenda afatit ligjor, neglizhenca, mungesa e predispozicionit, mosimpenjimit dhe vlerësimit si duhet të këtij problemi të mprehtë social dhe ekonomik, nuk i shërben rritjes dhe përmirësimit të standardeve të shtetit ligjor, përkundrazi ndikon në mosfinalizimin e procesit të dhënies së drejtësisë. Nuk janë të pakta vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilave është vendosur për konstatimin e cenimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor si rrjedhojë e mosekzekutimit të titujve ekzekutivë. Sipas Dobjanit, qëndrimi i derisotëm i mbajtur prej Ministrisë së Drejtësisë është në kundërshtim me Nenin 6 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore, në të cilën Republika e Shqipërisë ka aderuar. Konventa e vlerëson ekzekutimin e vendimeve si pjesë përbërëse dhe të rëndësishme të një gjykimi të drejtë dhe publik, brenda një afati të arsyeshëm dhe nga një gjykatë e pavarur dhe e caktuar me ligj.
6 Janar 2010