Raporti: Deficiti tregtar u rrit me 100 milionë euro vetëm në vitin 2009
Ervin KOÇI
Deficiti i llogarisë korente të Shqipërisë u rrit në 331 milionë euro gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009, nga 231 milionë euro që ishte një vit më parë. Lajmin e ka bërë të ditur Banka e Shqipërisë pasi ka pasqyruar raportin më të fundit për deficitin e llogarisë korente. “Shuma e transaksioneve korente hyrëse dhe dalëse, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009 ishte 2.677 milionë euro ose rreth 7 për qind më e lartë se një vit më parë. Llogaria korente regjistroi një deficit prej 331 milionë eurosh, krahasuar me 231 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”,- thotë BSH-ja në raportin e saj të fundit. Gjatë periudhës janar-shtator 2009, deficiti i llogarisë korente u rrit në 1.035 miliardë euro nga 861 milionë euro që pati qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2008. Shqipëria është një nga vendet me deficitin më të lartë të llogarisë korente në Europë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe ky deficit vijon të rritet. Gjatë vitit të kaluar, deficiti i llogarisë korente u financua pjesërisht nga kreditë në valutë që mori qeveria dhe pjesërisht nga shitja e disa kompanive publike. Deficiti më i lartë u shkaktua nga rënia e të ardhurave nga emigrantët dhe nga puna sezonale, rënia e eksporteve të mallrave etj.
Thellimi i borxhit
Qeveria shqiptare parashikon që për këtë vit të financojë shumicën e deficitit buxhetor me borxh në tregun ndërkombëtar. Ministri i Financave, Ridvan Bode, është shprehur se, "shërbimi i borxhit publik për vitin 2010 përbën një sfidë, ndaj jemi përgatitur që në pranverë Shqipëria të dalë në tregun ndërkombëtar për të financuar nevojat e vendit për para me një kosto shumë më të mirë". Ministri shtoi se, për të dalë nga kjo situatë qeveria do të zbatojë një strategji të re duke kërkuar ndihmën e institucioneve ndërkombëtare për financimin e projekteve të mëdha publike.
Të ardhurat nga turizmi
Suficiti në shërbime turistike, i cili më parë ka qenë një nga zërat më të rëndësishëm të të ardhurave, nuk ndihmoi shumë në këtë drejtim. Sipas BSH-së, numri i të huajve që erdhën në Shqipëri këtë vit pësoi një rritje të konsiderueshme. Turistët shpenzuan më shumë para gjatë ditëve që kaluan në vendin tonë, por kohëzgjatja e qëndrimit të tyre u ul ndjeshëm. “Tremujori i tretë regjistroi një rritje të konsiderueshme të numrit të udhëtarëve jorezidentë që kanë vizituar Shqipërinë dhe rritje të shpenzimeve mesatare ditore, ndërkohë që koeficienti i ditë-qëndrimit vlerësohet në rënie ndaj një viti më parë”, thotë BSH. Shumica dërrmuese e turistëve ishin nga Kosova, për shkak të lehtësisë së krijuar nga rruga Durrës-Kukës.
BOX///////////////////////
Çfarë është llogaria korente
Llogaria korrente pasqyron sasinë e valutës së hyrë dhe të dalë për tregtinë e mallrave apo shërbimeve dhe deficiti i saj konsiderohet nga ekspertët si një formë borxhi për vendin. Deficiti i llogarisë korente ose “Llogaria Korente” është një prej treguesve makro-ekonomik më të rëndësishëm ekonomikë të një vendi. Ai tregon kahjen se nga ecën ekonomia e vendit dhe forma se si është e orientuar ajo. Llogaria korente është e përbërë nga deficiti tregtar, të ardhurat nga emigrantët, pagat, interesat apo kapitali dhe fitimi i ndërmarrjeve, si dhe i analizon ato në të gjithë komponentët ekonomik. Në llogarinë korente përfshihet gjithashtu edhe totali i transfertave të parave dhe të kapitaleve që kryen, diferenca e tyre etj. Kjo llogari shërben edhe si një tregues për të vlerësuar progresin apo dhe rënien e ekonomisë së një vendi, në raportet import-eksport, prodhim-konsum, të ardhura dhe shpenzime.
Kriza, bien investimet e huaja në Kosovë
Investimet e huaja të drejtpërdrejta në Kosovë kanë shënuar rënie për rreth 45 milionë euro gjatë vitit 2009 krahasuar me një vit më parë. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kjo është shkaktuar si pasojë e krizës ekonomike globale. Por ekspertët e ekonomisë thonë se në rënien e nivelit të investimeve ka ndikuar edhe klima e papërshtatshme për investime, moszbatimi i ligjit, niveli i lartë i korrupsionit, niveli i lartë i ekonomisë joformale etj. Sikurse në shumë vende të botës, kriza ekonomike botërore ka ndikuar në rënien e nivelit të investimeve të huaja edhe në Kosovë. Ndonëse agjencia kosovare për promovimin e investimeve ka zhvilluar aktivitete të shumta jashtë vendit, niveli i investimeve të huaja gjatë vitit 2009 ka shënuar rënie rreth 25 për qind, apo në shifra absolute prej 45 milionë eurosh, krahasuar me vitin 2008. Udhëheqësi i agjencisë për promovimin e investimeve, Mustafë Hasani, tha për Radio Kosovën (RTK) se shumë investitorë kanë treguar interesim për të investuar në Kosovë dhe kjo pritet të materializohet gjatë këtij viti.
Kursi i këmbimit
Banka e Shqipërisë
Më poshtë do të gjeni kurset e reja të këmbimit.
PëRDITëSIMI I FUNDIT: 12:25:11, 05.01.2010
Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollari Amerikan USD 95.60 -0.21
EURO EUR 137.80 -0.16
Poundi Britanik GBP 152.97 -1.67
Franga Zviceriane CHF 92.86 -0.18
Jeni Japonez (100) JPY 104.03 +0.31
Dollari Australian AUD 87.40 +1.23
Dollari Kanadez CAD 92.10 +0.76
Korona Suedeze SEK 13.51 +0.07
Korona Norvegjeze NOK 16.77 +0.15
Korona Daneze DKK 18.53 -0.01
SDR SDR 149.81 +0.16
Ari(OZ 1) XAU 107443.57 +1,747.36
Argjend(OZ 1) XAG 1681.66 +51.95
6 Janar 2010