Ministria e Brendshme; Ndjekim me vëmendje situatën në zonat e përmbytura
Ministria e Brendshme po ndjek me vëmendje maksimale problemet e krijuara për shkak të reshjeve të ditëve të fundit në të gjithë vendin. Sipas njoftimit për shtyp, strukturat e emergjencave civile dhe strukturat e Policisë së Shtetit në koordinim me strukturat e pushtetit vendor të të gjitha niveleve janë pranë banorëve dhe po japin ndihmën e nevojshme për çdo rast problematik. Shtabet e emergjencës nën drejtimin e prefektëve në çdo qark të vendit po gjejnë dëmet e shkaktuara nga reshjet dhe janë në kontroll të plotë të situatës duke informuar dhe koordinuar në mënyrë të vazhdueshme me Ministrinë e Brendshme. Sipas njoftimit zyrtar, situata në qarkun e përmbytur të Shkodrës paraqitet problematike. Shqetësim mbetet aksi rrugor që lidh Shkodrën me Dukagjinin, në vendin e quajtur Lotaj, si rezultat i shembjes së dheut në një gjatësi 80 metra. Situata e krijuar për shkak të ujërave në tokën bujqësore në këtë qark është në përmirësim të vazhdueshëm. Hidrovorët punojnë me kapacitet të plotë. Në Qarkun e Lezhës si rezultat i reshjeve në një sipërfaqe të konsiderueshme të tokave bujqësore kemi prezencë uji, veçanërisht në fshatin Barbullojë, Komuna Kolsh. Të shtatë hidrovorët në këtë qark punojnë pa ndërprerje. Shtabi i Emergjencave Civile po e ndjek situatën me përparësi. Qarkullimi rrugor në rrugët nacionale nuk ka asnjë problem. Situata në Qarkun e Durrësit ka ardhur drejt përmirësimit. Gjatë gjithë ditës makinat zjarrfikëse kanë punuar në zonën e plazhit për largimin e ujit nga banesat. Shtabi i Emergjencave Civile është në ndjekje të problemeve. Ndërsa, në qarkun Vlorë, situata paraqitet pa probleme. Shtabi i Emergjencave Civile po ndjek dhe monitoron situatën e lumit Vjosa, për nivelin e ujit. Nga reshjet e këtyre ditëve edhe në Qarkun e Korçës janë paraqitur disa probleme, kryesisht dalje të ujërave në segmente të ndryshme të rrugëve, por ato janë eliminuar me shpejtësi. Për momentin është problem ngritja e nivelit të ujit në lumin Devoll. Për mbajtjen nën kontroll të situatës, grupi i punës ka mbyllur portat në portbarazhin e Sovjanit, për të mos lejuar futjen e ujit nga lumi Devoll në kolektorin e Sovjanit. Në Qarkun e Fierit rritja e lartë e nivelit të Vjosës ka influencuar në rritjen e nivelit të ujit në të gjithë rrjetin e kanalizimeve, duke shkaktuar përmbytje në toka bujqësore dhe duke krijuar rrezik në disa fshatra edhe për përmbytje të disa banesave të veçuara. Shtabi i Emergjencës nën drejtimin e Prefektit të Qarkut në mbrëmjen e së martës e shpalli situatën emergjente dhe përcaktoi detyrat për të gjitha strukturat përkatëse, për të përballuar situatën dhe shmangur rrezikun nga përmbytja e zonës që shtrihet përgjatë lumit Vjosë. Grupe të posaçme pune u vendosën përgjatë Vjosës për të përballuar situatën. Gjatë mbrëmjes së të martës dhe gjatë natës u evidentuan dalje të lumit në tokë bujqësore në Kutë, Tojkan dhe Hambar të Komunës Cakran, Kashishtë dhe Çerven të Komunës Frakull dhe Ferras e Poro të Komunës Levan. Në Çerven, Kashisht dhe Poro u evidentuan edhe përmbytje të disa oborreve të shtëpive. Për të shmangur çdo rrezik të mundshëm u bë evakuimi i tre familjeve në Çerven nga forcat policore dhe FNSH. Në mesditën e djeshme vërehet rënie e nivelit të ujit në lumin Vjosa dhe për shkak të ndërprerjes së reshjeve pritet përmirësimi i situatës. Për të ndjekur nga afër zgjidhjen e problemeve të krijuara, këtë qark e kanë vizituar zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni dhe drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Alfred Olli.