E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet për të dytën herë vrasësi i Azem Hajdarit

12/11/2009  Vendimi për Jaho Mulosmanin

TIRANË – Gjyqtari Petrit Çomo dënoi dje me 25 vjet burg, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar Jaho Mulosmanin, akuzuar për dy vrasje të ndodhura në Tropojë në vitin 1999. Duke qenë se po vuan një dënim me burgim të përjetshëm për vrasjen e deputetit Azem Hajdari, gjykata bëri bashkimin e dënimeve duke e dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm. Nuk ndodhej në sallën e gjyqit. Përfaqësohej nga avokati pas një deklarate të lëshuar. Gjithçka duket se ka ndodhur për hakmarrje. Brenda ditës, në një hark kohor prej dy orësh, kanë gjetur vdekjen katër persona dhe plagosur dy të tjerë. Në fshatin Cernicë të Tropojës, në orët e para të mëngjesit të datës 4 gusht 1999, në vendin e quajtur “Ura e Valbonës” shpërtheu një minë me telekomandë. Si pasojë e këtij shpërthimi gjetën vdekjen Feriz Kërnaja dhe Fatmir Haklaj, ndërsa mbeti i plagosur rëndë, Halil Haklaj dhe një shtetas tjetër, i cili nuk dihet se ku ka qenë në ato momente të shpërthimit. E ndërsa transportoheshin për në spitalin e Tropojës, viktimat dhe të plagosurit nga shpërthimi i minës me telekomandë tek “Ura e Valbonës”, Tropojë, në mes të qytetit, tek vendi që quhet rrethi i qarkullimit para Bashkisë, vriten me armë zjarri dy shtetas të tjerë, Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti. Gjykata në dhënien e vendimit kundër Jaho Mulosmanit tha se, vrasjet e kryera prej tij kanë një motiv të vetëm “hakmarrje”. Jaho Mulosmani ishte shok i ngushtë me dy vëllezërit Haklaj, Halilin që u plagos dhe Fatmirin, me të cilin bashkëpunoi për vrasjen e Azem Hajdarit. Duke qenë në krye të policisë së Tropojës, Jaho Mulosmani nuk e duroi dot faktin e vrasjes së shokut të tij. Në dosje thuhet se arma, me të cilën u vranë Isuf Bashkurti dhe Bislim Hyka, më parë vrau Azem Hajdarin dhe është përdorur nga Jaho Mulosmani.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›