E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhet problemi tek Bujqësori, të gjithë në DND



Është zgjidhur gjatë ditës së djeshme problemi i krijuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Në këtë mënyrë, të gjithë të diplomuarit e këtij universiteti do të vijojnë programin e nivelit të dytë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri dje të ditur se pas negociatave midis rektoratit dhe studentëve grevistë, rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës i kërkoi ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, ndryshimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave që konsiston në rritjen e numrit të vendeve të studimit për Diplomë të Nivelit të Dytë (DND).

“Ministri i Arsimit dhe Shkencës menjëherë i propozoi Këshillit të Ministrave projektvendimin në fjalë. Këshilli i Ministrave e miratoi projektvendimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës”, - bëri të ditur me anë të një njoftimi për shtyp Ministria e Arsimit.

Në këtë mënyrë, studentët e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit të UBT-së mund të fillojnë të regjistrohen për studimet e nivelit të dytë (DND), duke nisur nga dita e nesërme. Ministri i Arsimit dhe Shkencës falënderon rektoratin e UBT-së dhe dekanatin e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit për bashkëpunimin.

Po dje, të diplomuarit e programit të nivelit të parë në Universitetin Bujqësor me mesatare nën 7 kanë daë nga greva e urisë, ku ishin prej shtatë ditësh, duke i dhënë fund kështu edhe debatit të krijuar mes studentëve dhe mes vetë pedagogëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Vendimi përcakton që prej ditës së sotshme dhe për katër ditë me radhë do të kryhet regjistrimi i të diplomuarve në DNP, në programet e Diplomave të Nivelit të Dytë. “Regjistrimet në këtë program studimi fillojnë në datën 12 deri 16 nëntor 2009, ora 16:00”, - përcaktohet në vendimin e rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, z. Fatos Harizaj.

Gjithashtu, UBT do të kërkojë edhe personel akademik shtesë për të plotësuar nevojat. “Për të mundësuar ofrimin normal të studimeve në këtë program studimi, rektorati do t`i paraqesë në vijim Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës si edhe Konferencës së Rektorëve kërkesë zyrtare për mbështetje me personel akademik shtesë nga institucione të tjera të arsimit të lartë”, - bëri të ditur ministria.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›