E Diel, 1 Nëntor 2026

Vepra "Një rrëfenjë me ndërkombëtarë", diskutim në Paris

Shoqata kulturore "Les albanais de France" në Paris në bashkëpunim me shtëpinë botuese "Toena" organizojnë në Qendrën e Artit dhe Kulturës së Montmartrenë Paris një takim letrar me shkrimtarin Ylljet Aliçka dhe debat mbi librin e tij "Një rrëfenjë me ndërkombëtarë". Romani Një rrëfenjë me ndërkombëtarë trajton një subjekt  provokues e cinik në të njëjtën kohë, një libër që blasfemon arrogancën elitare të një pjese të opinionit ndërkombëtar, një libër mbi kulturën e nënshtrimit, e mbizotërimit, një roman zyrash, ngjyrë gri, i përshkruar me mjaft humor, sarkazëm  therëse, dhe cinizëm ironizues. Kritika e ka quajtur librin  një univers grotesk e cinik, një libër i zi nën dritën e diellit të një vendi të vogël evropian, ndërsa autorin një sfungjer që thith  rreth vetes gjithçka  groteske që ofron vetë jeta.  Një rrëfenjë me ndërkombëtarë është roman artistik, i ngacmuar nga imazhi  alarmant që mbizotëron sot në një pjesë të opinionit ndërkombëtar për Shqipërinë e shqiptarët, i cili  bëhet  shkak zhgënjimesh e deziluzionesh jo vetëm  në planin individual dhe jo rrallë  pengesë në planin politik e atë institucional. Romani hedh dilemën se mos vallë mirënjohja e thellë dhe toleranca e tepruar e shqiptarëve ndaj kontributit jetësor për   zhvillimin e e Shqipërisë postdiktatoriale, u keqkuptua nga një pjesë e opinionit të huajt ? Dhe nga ana tjetër, a ka një masë që të vlerësojë diferencat kulturore për të kaluar për pasojë në pabarazitë dhe diskriminimet, kur pranohet që çdo kulturë që bart vlera nënkupton edhe hierarkinë e tyre?  Sipas autorit nami i Shqipërisë dhe i shqiptarëve po ndotet ca më shumë seç e meritojmë dhe më teper se sa nje deficiti demokratik kjo është më së shumti pasojë e një deficiti komunikues. Njohja e problematikës shqiptare, nuk mund të bëhet e sforcuar apo me  improvizime emocionale  për të kërkuar  mundimshëm simpatira ndërkombëtare. Romani Një rrëfenjë me ndërkombëtarë përfaqësoi Shqipërinë në Çmimin Letrar "Ballkanika" (romani më i mirë i vendeve të ballkanit) për vitin 2007 dhe u vlerësua si një prej pretendëntëve kryesore për çmimin e parë. Ylljet Aliçka ka lindur në Tiranë, më 23 qershor 1951. Ka marrë gradën shkencore Doktor i Shkencave Didaktike, më 1989, dhe titullin Profesor i Asociuar, më 1993. Ka kryer detyra profesionale: mësues në fshatrat e rrethit të Matit, 1973-1983; redaktor pranë Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor, 1983-1991; drejtor i Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor, 1991-1992. Ka kryer detyra shtetërore: drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë, pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve, 1992-1997; përgjegjës për informacionin dhe komunikimin pranë Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, 1997-2007; ambasador i Shqipërisë në Francë dhe UNESKO që prej vitit 2007. Ka botuar në shqip: Tregime, 1996; Kompromisi, 2000; Parullat me gurë, 2003; Një rrëfenjë me ndërkombëtarë, 2006. Në gjuhë të huaj: Les slogans de pierre, përmbledhje me tregime, Francë, 1999; Kompromisi, përmbledhje me tregime, Poloni, 2002; I slogani di pitra, Itali, 2006; Balkan blood, Balkan beauty, SHBA, 2006. Në fushën kinematografike është mjaft i njohur me skenarët e filmave: Parullat, bashkëprodhim franko-shqiptar, 2001; Kronikë provinciale, bashkëprodhim franko-italo-shqiptar, 2008; Ndodhi shqiptare, 2005.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›