E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Brendshme: Sot si asnjëherë me parë, kemi shtet ligjor

 

TIRANE- Ministria e Brendshme ka reaguar menjëherë ndaj deklaratave të PS, sipas të cilave në vend nuk funksionon shteti ligjor. Përmes një deklarate për shtyp, ministria bën të ditur se sot më shumë se asnjëherë tjetër, kanë në krah shtetin e së drejtës dhe funksionimin e ligjit.
“Instrumentat e sigurisë publike dhe funksionimi i tyre në luftën kundër krimit përbëjnë një nga arritjet më madhore të qeverisë shqiptare. Institucionet më prestigjioze ndërkombëtare e klasifikojnë sot Shqipërinë si një vend të sigurt dhe me rezultate të larta në luftën kundër krimit të organizuar”-thekson zëdhënësi i MB, Fatmir Konja.

Ai ka përmendur një sërë raportesh, ku Shqipëria vlerësohet me nota pozitive në luftën e saj kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.
“Sot Shqipëria ka një nivel kriminaliteti më të ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian. Të gjitha figurat e krimit sot në Shqipëri rezultojnë më të ulëta se një vit më parë dhe zbulueshmëria e tyre është rritur në nivelin 80%”-theksohet në deklaratën e ministrisë së brendshme. (e.n/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›