Humbja nr.1
Thuajse, asnjëherë, nuk ka ndodhur, në pluralizmin tonë, që, pas humbjes së zgjedhjeve, kryetari i opozitës të vihet në qendër të kritikave më të rrepta nga nukli i personaliteteve më të njohur brenda partisë. Kurse mbështetësit janë tretur si kripa në ujë, ata sillen si në filmat e dikurshëm pa zë, nga që nuk e mbrojnë dot, thjesht me të drejtën e të qënit dikush në parti vetëm me përfshirjen në listën e kandidatëve. Këta nuk ishin të prapalistës, por zunë kreun, dhe shihen deputetë të bindur sa, edhe duke mos pasur në Kuvend të parin e tyre, vetëndjehen si i pari. Parazgjedhjeve, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama luajti i vetëm, le të themi, Politikën Totale, e cila u përkufizua me togfjalëshin si “o gjithçka, o asgjë”. Ata që patën menduar assisoj, nënkuptonin dy mundësi të tij, domethënë, njëra - “gjithëçka”, tjetra - “asgjë”. Por nuk u vërtetuan njohës të saktë sepse, brenda Ramës digjte mundësia e vetme - fitorja dhe, duke fituar “s’do të kishte burrë nëne” ta pengonte që t’i merrte të gjitha. Përfundimi fort i barazpeshuar i rezultatit të zgjedhjeve tregoi sesa pranë rrëmbimit të të gjithave kaloi e shkoi. Mirëpo, me shpërfilljen e kundërshtarëve, të djathtë e sidomos të majtë, domethënë me mosmarrjen parasyshë edhe të humbjes si mundësi e dytë, atij i mbeti “asgjëja”. Rama, me një provë të pakundërshtueshme nga vetvetja, vërtetoi deklarimin e thënë me gojën e vet se, “nuk jam politikan”. Rama humbi të jetë deputet. Kjo qe zgjedhje e vullnetshme. Çfarë i duhej Politikës Totale, ulja si nxënës në sallën e Kuvendit, ndërsa do të qe kryeministër? Pse të zbriste poshtë në plate, të duronte polemika nga afër e ballë për ballë nga gjithëkushi, ndërsa ato mezi i përballon, gjithandej e nga larg? Kritika si komandant braktisës të kreut të ushtrisë, prej tij është parë ndryshe, sepse një telefon celular i sofistikuar dhe një kompjuter i lidhur me internetin, janë zyrë e komandë. Këtë ia lehtësonte edhe lista, një shpërngulje emrore e pandalur, Bashki - Parti - Kuvend. Rama humbi të jetë kryeministër. Përjetimi i saj ishte dramë e vidhisëse sepse, “atë që s’ia merr ditës, s’ta sjellë më gjithë jeta”. Ajo qe një ëndërr të cilën mendonte se e meritonte ta prekte, ishte gjithçka synoi në politikë qyshkur mori partinë. Dështimi do t’i mbetet dramë e gjatë sepse, përveç që Kryeministria mbetet larg orbitës vetjake, ai mbart rrezikun edhe të nxjerrjes së tij nga politika, shndërrimin në qytetar të zakonshëm, më të vetmin ndryshim që, thuhet se ka mjaft para. Rama do të humbë të jetë kryetar bashkie. Ende nuk ka ndodhur, por kjo sillet të jetë diçka e përzjerë, një humbje e vullnetshme dhe e detyruar njëherësh. Tri mandante në krye të bashkisë gjigande të vendit, për Ramën dhe cilindo, nuk janë pak. Opozita asnjë tjetër nga anëtarësia e saj nuk e ka pasur dhe mbajtur kaq gjatë në pushtet, përfshi qënien ministër para marrjes së bashkisë. Ai, sigurisht që, nuk do të kandidojë, sepse e di që ka qendruar tepër; e di dhe ia dinë që mandatin e fundit ka qenë “kryetar me korrepondencë”; venitia e punëve të bashkisë, godet këmbanën e papundësisë së mëtejshme. Por, edhe sikur të kandidonte, ai nuk do të mund të fitonte, me shkatërrimin e gjithanshëm nga humbja komplekse dhe precipitimi i mosbesimit qytetar. Rama humbi zgjedhjet. Është përshtypje e gabuar e atyre që, humbjen e zgjedhjeve e quajnë kryehumbjen e Ramës. Ndër dy palë që luajnë politikisht, njëra gjithmonë humb dhe, çdo humbje përballohet denjësisht në ekip: sëbashku në fushtë, sëbashku në humbje. Veçori e kësaj here te socialistët ishte se, Rama e personalizoi fitoren e mundshme ( deshi të bëhej Gjithëkushi), përgjegjësinë për humbje e transferoi (këmbëngul të mbetet Dikushi). E vetmja gjë që kreu socialist e ka menduar që në krye të herës, (e kam shkruar që para zgjedhjeve), ishte politika për vete me dy dalje: ose fitore e zgjedhjeve, ose ndotje e zgjedhjeve. Kur mungon rrethna për kaos revolucionar, ndotja demokratike e zgjedhjeve është mënyra e padënushme e dëmtimit të fituesve dhe të vendit. Por kjo formulë politike nuk do të japë rezultat sepse, Shqipëria po troket në portën e Europës, dhe ka ecur aq përpara sa gjindet shumë-shumë më larg portës që vet ia mbylli diktaturës. Partia humbi me Ramën. Partia ka humbur me Ramën dhe Rama ka humbur Partinë. Kjo është humbja nr.1. Ai që, më 2005 erdhi në krye të socialistëve, kreu rrugëtimin e gjatë të Shqipërisë, për t’i thënë anëtarësisë se, “Jam unë, nuk është Nano”, u duk sikur ia arriti. Por, ajo qe dukja, sepse humbja e vetëm një beteje - zgjedhjet, e bënë partinë socialiste problematike edhe me ndërkombëtarët, qoftë për qendrimin ndaj zgjedhjeve, qoftë për pjesëmarrjen në Kuvend, qoftë për shpërfilljen e zërit ndryshe, qoftë për bunkerizimin informativ, me mbylljen e dyerve për mediat. Partia Socialiste është bërë problematike për jetën e vendit, sepse kreu i partisë nuk e administroi humbjen siç i takonte, nuk qe i hapur me publikun dhe përpiqet të krijojë krizë institucionale . Partia Socialiste është bërë një problem i madh i vetvetes, ndërkohë që ka përpara tri ngjarje të mëdha, ndaj të cilave, sa më keq të sillet, aq më thellë do të kridhet në krizën e vet: pjesëmarrja në Kuvend, heqja e vizave për qytetarët shqiptarë dhe zgjedhjet vendore pas dy vjetësh. Humbja e Ramës do të vijë nga humbja nr.1, ose humbja e partisë nga Rama. Nëse vjen në krye të saj për herë të dytë - siç edhe pritet – ndërkohë i thonë “kryetari në detyrë”, prej mandatit të ndërprerë nga neni 28 i statutit, ajo do të jetë vijim në po atë karrike, por humbja partisë nuk ndalon.
...