E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Brendshme kallëzon në prokurori kartat e Ruçit

Qëndrimi Në tekst kërkohet fillimi i procedimit me akuzën e përhapjes së informatave të rreme

Denoncimi publik nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, për kartat e identitetit të falsifikuara ka sjellë reagimin e Ministrisë së Brendshme. Kjo e fundit ka dorëzuar një kallëzim për veprat penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose të vizave” dhe të “Përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga nenet 189 dhe 267 të Kodit Penal. “Bazuar në nenet 280 dhe 281 të Kodit të Procedurës Penale parashtrojmë këtë kallëzim penal për veprat penale të sipërcituara, duke parashtruar rrethanat e fakteve konkrete ku bazohet kallëzimi, provat me të cilat vërtetohen këto fakte, si dhe dispozitat ligjore penale të cenuara”, thuhet në kallëzimin ku nuk përmendet emri i Ruçit. Në tekst thuhet se në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 4 Mars 2010, është deklaruar publikisht se ka prova e fakte të cilat disponohen nga ana e deklaruesve, në lidhje me qarkullimin dhe përdorimin nga persona të ndryshëm të kartave të identitetit false (letërnjoftimeve elektronikë). “Duke konstatuar se deklaratat mbi ekzistencën e kartave te identitetit false, vërtetojnë faktin se është kryer një vepër penale e cila parashikohet në legjislacionin shqiptar e konkretisht në nenin 189 të Kodit Penal, duke mos pasur dijeni mbi autorët e kësaj vepre penale, si dhe personat e tjerë që kanë dijeni mbi rrethanat e faktet, si dhe duke mos u njohur me ndonjë veprim të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për fillimin kryesisht të veprimeve procedurale, mbi faktet e bëra publike, Ministria e Brendshme, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale, paraqet përpara kësaj prokurorie këtë kallëzim penal”, thotë ministria. Ministria e Brendshme, në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës të Kontratës Koncesionare “Prodhimi dhe shpërndarja e dokumenteve të identitetit”, thotë se është tepër e interesuar që të zbardhet tërësisht e vërteta rreth deklarimeve publike, të vihen në dispozicion të prokurorisë dokumentet e paraqitura në seancë plenare nga deklaruesit, të sqarohet se pse dhe në ç’mënyrë i disponojnë këto dokumente, si kanë marrë dijeni për këtë informacion e të tjera pyetje, që vërtet do të mund të sqaronin çështjen, por edhe do të ruanin këtë projekt madhor për Shqipërinë nga ndërhyrje që mund të cenonin soliditetin e tij apo që më keq, që synojnë të prekin pa asnjë bazë imazhin e procesit. Ministria e Brendshme shpreh shqetësimin për veprimet e konstatuara dhe është e mendimit se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ndodhet në kushtet e fillimit të çështjes penale, në përputhje me nenet 153 e në vijim (dëshmia) dhe nenin 280 e në vijim (Marrja dijeni për veprën penale) të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›