Basha: Krimi, informacioni i kompjuterizuar
Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë vlerëson progresin e Shqipërisë në fushën e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, si dhe arritjet e Policisë së Shtetit në kuadër të zbatimit të objektivave të projektit PAMECA III. Vlerësimet u shprehën nga shefi i Delegacionit të KE, ambasadori Helmut Lohan, në takimin e katërt të Bordit të Palëve të Interesuara të projektit të asistencës policore të Komisionit Europian, PAMECA III. “Ne kemi parë progres të rëndësishëm gjatë këtyre gjashtë muajve. Kemi parë progresin e projektit PAMECA jo vetëm në ecjen e tij përpara, por edhe në dhënien e këshillave konkrete. Jam i sigurt se kjo punë e deritanishme do të gjenerojë më shumë sukses në periudhën afatgjatë dhe mendoj se projektet janë tashmë në rrugë të drejtë. Do të përmendja në veçanti progresin e evidentuar edhe nga ekspertët e misionit të Komisionit Europian në fushën e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Progresi në këtë fushë është raportuar edhe më parë nga kolegët ambasadorë. Do të thosha se ky progres erdhi në kohën e duhur”, deklaroi ambasadori Lohan. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij, vlerësoi ecurinë e qëndrueshme të projektit dhe sidomos arritjet gjatë gjashtëmujorit të fundit. Ai theksoi faktin se objektivat e përcaktuara në kuadër të projektit, jo vetëm u realizuan plotësisht, por edhe u përshpejtuan si rezultat i një prej motiveve kryesore të Policisë së Shtetit, përmbushja e çdo kriteri të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Basha radhiti ndër këto arritje përfundimin e një sërë projektesh si DATACOM, shpërndarja e MEMEX në të gjitha qarqet e vendit dhe dhënia akses oficerëve të policisë. Gjithashtu, ai shtoi përfundimin e projekteve të integrimit të sistemeve të kufirit, përfundimin e qendrës ndërinstitucionale detare, e cila ka dhënë rezultatet e para këtë javë, hapja dhe marrja në funksion e qendrës së re për pritjen e të huajve me qëndrim të parregullt në Shqipëri. Ministri nuk la pa përmendur edhe krijimin pas hyrjes në fuqi të ligjit “Antimafia” i strukturës së veçantë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për gjurmimin e aseteve të mafies dhe krimit të organizuar. “Në kuadrin e reformave të ndërmarra veçanërisht në këta gjashtë muaj të cilat kanë transformuar rrënjësisht disa nga praktikat qoftë në luftën kundër krimit, qoftë në ruajtjen e kufirit për të realizuar siç në bindjen time kanë realizuar kriteret për liberalizimin e vizave duket sikur kemi qenë në një fushatë, por kjo nuk ka qenë dhe nuk është një fushatë, e cila ka një fillim dhe një fund. Ky është një proces i cili policisë shqiptare në gjashtë muaj i ka dy, tre dhe ndonjëherë dhe katërfishuar kapacitetet, i ka përmirësuar rrënjësisht praktikat dhe e ka vendosur në një rrafsh më të lartë veprimin dhe kundërveprimin në raport me krimin dhe në raport me sfidat e rendit dhe sigurisë”, u shpreh ministri Basha.
#