Transport rrugor: Problem, 126 mijë automjete
Shqiptarët nuk përfituan nga amnistia e taksës së makinës
Falja e gjobave për ata që nuk i kishin paguar dhe çregjistrimi i makinave të dala jashtë përdorimit kundrejt lehtësive fiskale nuk solli impaktin e duhur për Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor. Edhe pse amnistia zgjati gjashtë muaj, të dhënat zyrtare tregojnë se janë 126.760 automjete pasive që nuk kanë kryer procesin e çregjistrimit. Subjektet shtetërore dhe private nuk kanë zbatuar ende kërkesat që parashikonte ligji i amnistisë, përfunduar në prill 2009. Për periudhën 1995-2008 Drejtoria e Transporteve bën të ditur se numri i automjeteve që nuk kryenin shërbimet në këtë drejtori ka qenë më i lartë rreth, 378.060, ku përdorues të këtyre mjeteve ishin debitorë ndaj shtetit, pasi nuk shlyenin detyrimet përkatëse. Ligji nr. 9986 datë 11.9.2008 ka qenë një amnisti për të gjithë ata që kishin detyrime të prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor. Rezultati i ligjit ishte pozitiv për DPTRR-në, pasi 10.776 automjete u çregjistruan dhe 7.224 të tjerë paguan taksat e dy viteve të fundit. Vlera e falur nga kjo amnisti arrin deri në 2.5 miliardë lekë. Sipas drejtoreshës së informacionit pranë DPSHTRR, Kozeta Gina, afati gjashtëmujor i amnistisë ishte i shkurtër dhe jo i mjaftueshëm që qytetarët të informoheshin dhe të nisnin veprimet për çregjistrim të mjeteve të tyre. Prandaj Drejtoria e Transporteve mendon se është e domosdoshme shtyrja e këtij afati dhe për një periudhë gjashtëmujore. “E rëndësishme është që vetë qytetarët të ndërgjegjësohen dhe të fillojnë të çregjistrojnë automjetet e vjetra, pasi janë këto automjete që bien pre e krimit, e kontrabandës dhe janë po këto që sjellin ndotje të mjedisit”, shprehet Gina.
#