E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Bujqësisë përgënjeshtron Ramën

Ministria e Bujqësisë ka përgënjeshtruar ditën e djeshme shifrat e dhëna nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i kësaj ministrie, Rexhep Shahu, u shpreh se bujqësia shqiptare nuk ka qenë më e pavarur se sot kurrë më parë. “Për ata që u vjen mirë për ndryshimet pozitive të vendit dhe nuk e kanë vuajtje pse po ecim shumë punë dhe që e shohin vendin kantier ndërtimi kudo, po flas me shifra. Duke ftuar Edi Ramën, argatët e fotokopjet e tij që të flasin edhe ato me shifra dhe le të krahasojmë 8 vitet e qeverisjeve të tyre ku vetëm vodhën fondet publike me të dyja duart, me tre vitet e kësaj qeverie. Në 2008-ën u prodhuan 312 mijë tonë grurë, ose 20 për qind më shumë se në 2007-ën. Në 6-mujorin e parë 2008, që përfundoi në qershor ende pa ardhur piku i prodhimit bujqësor, Shqipëria prodhoi 270 mijë tonë perime. Nga këto 62 mijë tonë në sera. Prodhoi 80 mijë tonë patate, 32 mijë tonë fruta, 670 mijë tonë qumësht, 66 mijë tonë mish, 431 milionë kokrra vezë. Ndërsa prodhimi i agroindustrisë në këtë 6-mujor u rrit me 12 për qind krahasuar me 2007-ën”, - tha Shahu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›