E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i fëmijëve në kopshte e çerdhe përlesh banorët me policinë



Jonida Tashi

Regjistrimi i fëmijëve për në kopshte dhe çerdhe ka përfunduar në kaos dhe rrëmujë në kryeqytet. Shkak për këtë është bërë, sipas prindërve, caktimi vetëm i një date dhe një qendre për të bërë regjistrimin e fëmijëve në këto institucione. Prindërit, të frikësuar se mos plotësohet numri i pranimeve, kanë zënë radhë që në orët e para të mëngjesit pranë qendrës së regjistrimit që kishte caktuar Drejtoria Arsimore e Tiranës. Deri një vit më parë kjo drejtori e ka bërë procesin e regjistrimit të fëmijëve pranë kopshteve që ata do të frekuentonin. Ndërsa këtë vit e gjithë Tirana dhe zonat periferike të saj duhet t’i regjistronin fëmijët pikërisht në një qendër të vetme.
Përleshja
Përveç dyndjes dhe konfliktit të krijuar në radhë, banorët janë përleshur edhe me forcat e policisë. Këto të fundit janë paraqitur aty për të mbajtur situatën në kontroll, gjë të cilën e kanë pasur të pamundur ta bëjnë në një radhë aq të madhe prindërish të revoltuar. “Po e çoj fëmijën në kopsht, jo në Amerikë”, - pohon tejet e revoltuar një grua duke u shtyrë në radhë. Pamundësia ekonomike për t’i çuar fëmijët në kopshte private ka bërë që prindërit të kalojnë një ditë makthi në dyert e qendrës së regjistrimit dhe në fund nuk kanë arritur të mbarojnë dot as punë.
Drejtoria
Pas situatës së krijuar punonjës të Drejtorisë Arsimore të Tiranës kanë sqaruar vendimin e marrë. Sipas tyre, grumbullimi i prindërve në një qendër të vetme u bë për një menaxhim më të mirë të këtij procesi, por realiteti tregoi të kundërtën. Nuk dihet ende nëse kjo drejtori do ta shtyjë afatin për të regjistruar fëmijët në çerdhe dhe kopshte, apo do të përdorë praktikën e vitit të kaluar. Në një kopsht shtetëror mund të bëheshin maksimumi 30 regjistrime. Përveç skadimit të afatit, numri i përcaktuar i pranimeve për çdo kopsht ka qenë arsyeja pse prindërit janë dyndur për ta bërë regjistrimin e fëmijëve sa më parë.
Frekuentimi
Kopshtet dhe çerdhet shtetërore janë edhe më të frekuentuarat nga fëmijët e familjeve jo të pasura. Më me fat për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe e kopsht duket se kanë qenë ato familje, fëmijët e të cilave do t’i frekuentojnë çerdhet falas falë ndihmës së Bashkisë së Tiranës. Kështu, në mbështetje të politikave sociale të Bashkisë së Tiranës dhe me vendim të Këshillit Bashkiak, disa kategori fëmijësh përfitojnë reduktim të pagesës mujore, që është përcaktuar për çerdhet shtetërore. Gjithçka është realizuar për të mundësuar që fëmijët me probleme sociale t’i frekuentojnë çerdhet, edhe pse prindërit e tyre nuk kanë mundësi për të bërë pagesën mujore. Prindërit që çojnë fëmijët në çerdhe duhet të paguajnë një shumë të hollash, parapagesë, prej 3500 lekësh në muaj.

Gjonaj: ”Akademikët duhet të ofrojnë më shumë studime”
Zëvendësministrja e Arsimit, Adriana Gjonaj, u bëri thirrje dje kërkuesve të huaj, apo atyre shqiptarë që punojnë në vende të huaja, të angazhohen në projekte dhe programe kërkimore për bashkëpunim me shkencëtarët e gjeneratës së re, pasi, sipas saj, duhet të përgatisim shkencëtarë të rinj që t’i përgjigjen hapave të kohës. Në fjalën e saj përshëndetëse, në takimin e tretë vjetor ndërkombëtar të Institutit Alb-Shkenca (IASH), Gjonaj vlerësoi se reforma me integrimin e institucioneve kërkimore në arsimin e lartë shërbeu për përdorimin e burimeve ekzistuese, njerëzore dhe financiare, si dhe infrastrukturore, duke i integruar ato në një sistem të vetëm të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor. Sipas saj, universiteteve iu bashkëngjitën me qindra shkencëtarë dhe kërkues, shumë laboratorë dhe infrastrukturë tjetër kërkimore. Aktualisht janë 12 qendra universitare publike të vendit, në Tiranë dhe rrethe, ku punojnë me mijëra pedagogë, kërkues dhe përgatitën mijëra studentë, pa përmendur ato private. Gjithashtu, Gjonaj vuri në dukje se reformimi u shoqërua me rritjen e financimit të buxhetit të shtetit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, i cili është katërfishuar, me hartimin dhe mbështetjen e programeve kombëtare të kërkimit dhe shkencës, me mbështetjen dhe nxitjen e programeve bilaterale dhe multilaterale të kërkimit, ku MASH-i ka qenë mjaft aktive. Ajo ka bërë të ditur se është akorduar fond ekselence për mbështetjen e studimeve doktoratoriale dhe postdoktoratoriale për kërkuesit e rinj, që është më i madh këtë vit. Ndërkohë që në kuadër të programit “Brain Gain”, po punohet për kthimin e shkencëtarëve shqiptarë që punojnë jashtë vendit, apo aktivizimin e tyre në zhvillime të shkencës dhe arsimit të lartë në Shqipëri.

Viti i ri akademik, Universiteti i Gjirokastrës, rreth 800 studentë të rinj

Rreth 800 studentë të rinj pritet të ulen për herë të parë në auditorët e universitetit “Eqrem Çabej” të qytetit të Gjirokastrës, gjatë vitit të ri akademik 2008-2009. Gëzim Sala, rektori i Universitetit të Gjirokastrës, pohon se këtë vit numri i studentëve që do të pranohen pranë këtij universiteti është i barabartë duke e krahasuar me një vit më parë, pasi kushtet e infrastrukturës janë të tilla që nuk pranojnë shtim kuotash. Sala sqaron se për sistemin me kohë të plotë, tetë degë të këtij universiteti nga 14 që janë gjithsej të kenë rreth 80 vende, ndërsa për degët e tjera të ketë afërsisht 60 vende. Sipas tij, në këtë universitet leksionet dhe seminaret zhvillohen me dy turne, për shkak të pamjaftueshmërisë së auditorëve.

2 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›