Al-Qaeda sulmoi turistët?
KS i OKB’së dënoi ashpër të premten sulmin në qendër të qytetit maroken Marrakesh, kur të enjten shpërtheu një bombë në një kafene turistësh.
Shumë turistë ishin ulur të enjten rreth mesditës që të hanin drekë në tarracën e kafenesë së njohur Argana. Papritmas një shpërthim i fuqishëm tronditi restorantin e famshëm në Jema- el-Fna, në sheshin qendror të Marakeshit, që është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO’s.
Të paktën 15 njerëz humbën jetën, 11 prej të cilëve ishin të huaj. Gjashtë nga viktimat u tha të jenë francezë. Ndërkaq, u njoftua se të paktën edhe 20 njerëz të plagosur u transportuan për në spitalin e qytetit.
"Pashë shumë të vdekur, gjithkund gjak. Shumica e të vdekurve janë turistë", u shpreh një dëshmitar okular.
Autoritete mariokene fillimisht besonin se bëhej fjalë për një shpërthim aksidental, megjithëse pak më vonë zëdhënësi i qeverisë, Khalid Naciri, konfirmoi se bëhej fjalë për një sulm terrorist.
Mendimin e tij e ndanë edhe eksperti francez i terrorizmit Roland Jacquard. "Al-Qaeda zakonisht i shënjestëron turistët, sepse atëherë ka shumë viktima ndërkombëtare. Kujtojeni rastin e Djerbas, të Scharm El Sheikut, në Egjipt, ose rastin e Kenias. Me sulme të tilla bëhen kryetituj, dhe ky është qëllimi i këtyre njerëzve", theksoi mes tjerash ai.