Ministria e Drejtësisë: Shkresa e supozuar me shënimin e Aldo Bumçit, është e falsifikuar

Zhurma e ditëve të fundit, për një shënim të supozuar mbi një shkresë zyrtare, nga ana e ish-ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, është sfumuar dje, ndërsa është mësuar se ai shënim i supozuar, nuk është asgjë më shumë se një falsifikim.
Ka qenë vetë Ministria e Drejtësisë, që ka bërë publike dje, shkresën zyrtare origjinale, pa shënimin e supozuar. Me një vështrim të lirë, dallohej qartë falsifikimi, ku një shkrim me një kaligrafi të shkujdesur, ka shtuar shënimin “për Shkëlzen Berishën”, shënim që në shkresën zyrtare nuk ekziston.
Shkresa zyrtare
Ministria e Drejtësisë, ka publikuar dje shkresën zyrtare, e supozuar se kishte shënimin e ish-Ministrit të Drejtësisë Alod Bumçi.
Bashkë me publikimin e shkresës, zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Migena Demirxhi, ka bërë të ditur dje, se, “lidhur me një pretendim të shtypit mbi një shkresë të supozuar se mban mbi të një shënim të ish-Ministrit të Drejtësisë, z. Aldo Bumçi sqarojmë se, në arkivin e Ministrisë së Drejtësisë ndodhet e protokolluar kjo shkresë (faksimilja) me nr. 1594/1 prot. i datës 09. 03. 2007”. Më tej, zëdhënësja Demirxhi ka sqaruar se “Përmbajtja e kësaj shkresë, lenda e saj, është “Mendim për një Projektvendim” dërguar Ministrisë së Mbrojtjes dhe mban firmën e Ministrit të Drejtësisë të asaj kohe, z. Aldo Bumçi”. Lidhur me shënimin e pretenduar, Demirxhi sqaroi më tej se, “në këtë shkresë nuk ka asnjë shënim dhe ky është dokumenti i vetëm i depozituar në protokollin e Ministrisë së Drejtësisë”. Burime të Ministrisë së Drejtësisë, sqaruan se kjo shkresë zyrtare është kontrolluar dhe është administruar në cilësinë e provës, edhe nga organi i Prokurorisë, e cila po heton për ngjarjen e Gërdecit. Të njëjta burime, saktësuan se në dosjen e kësaj çështje, prokuroria ka administruar shkresën zyrtare, që nuk ka asnjë shënim të pretenduar se është bërë nga ish-Ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi.
Falsifikimet në shkresë
Referuar shkresës zyrtare të publikuar dje nga Ministria e Drejtësisë, shihet qartë se në atë nuk ndodhet asnjë shënim i mundshëm, me shkrim, i bërë nga ish-Ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi. Ndërsa në “variantin” e falsifikuar, të publikuar edhe në media, pretendohej se në cepin e majtë, lart të shkresës, ndodhej shënimi “për Shkëlzen Berishën”, në shkresën zyrtare të publikuar nga Ministria e Drejtësisë, ky shënim nuk ekziston. Po kështu, për sa i përket datës dhe numrit të protokollit, në shkresën e publikuar në media, këto nuk ekzistoni, ishin fshirë, ndërsa në shkresën e publikuar nga Ministria e Drejtësisë, shkresa mbante datën 09. 03. 2008, dhe nr. 1594/1 prot. Në shkresën e falsifikuar, të publikuar në media, ekzistonte një datë dhe numër tjetër protokolli, e shënuar me shkrim dore, mbi vendin kur shkresa zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë, kishte datën dhe numrin e saj të protokollit. Shkresa e publikuar deri dje në media, kishte numrin e faksit nga ishte nisur kjo shkresë me shënim e pretenduar, por nuk kishte numrin e faksit, ku kishte mbërritur.
Ministri Alibeaj
Ndërsa prej ditësh, ka plasur debati për shënimin e supozuar mbi një shkresë zyrtare nga ish-Ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi, nuk ka pasur vetëm zërat që kanë “pompuar” falsifikimin, por edhe zëra që kanë përgënjeshtruar këtë shënim të supozuar.
Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, dy ditë më parë, në një konferencë ëpr shtyp, përballë interesimit të gazetarëve se, “Aldo Bumçi është vënë para akuzave të opozitës mbi një shkresë, mendim ligjor, që sipas tyre solli tragjedinë e Gërdecit. A keni vënë re ndonjë parregullsi në këto shkresa?”, ka mohuar ekzistencën e parregullsive të mundshme. “Oficerë të policë gjyqësore janë pritur në Ministrinë e Drejtësisë, në mënyrë miqësore, ju janë krijuar kushtet, komfortet për të ushtruar detyrën e tyre, për të kontrolluar, praktikën, arkivin e Ministrisë së Drejtësisë. Më lejoni që jo vetëm si Ministër Drejtësisë, por edhe si jurist që njeh procedurën penale të mos jap as një lloj të dhëne më tepër, sepse është puna e prokurorisë dhe prokuroria duhet lënë e lirë e qetë që të bëjë kontrollin e saj pa bërë të tilla pretenca ose sentenca publike. Nuk më rezulton që Aldo Bumçi të mos jetë njohës i mirë i shtetit, dhe ligjit”, ka qenë përgjigja e Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj.
Dalja e shkresës së falsifikuar ka lidhje të drejtpërdrejtë me interesimin e disa qarqeve politike e mediatike për të përfshirë një rreth sa më të gjerë përfaqësuesish të mazhorancës në hetimin që prokuroria po kryen për shpërthimin e Gërdecit. Deri më tani, mazhoranca është treguar fort luajale e nuk ka bërë asnjë koment as për natyrën hetimore të dokumenteve që po publikohen në media, e as për spekulimet politike lidhur me to. Megjithatë, dalja e shkresës së falsifikuar, me një stil krejt të njohur për specialistët, e që duket se precedentët mund të jenë të njohur edhe më herët për opinionin publik, duhet ta detyrojë Prokurorinë që të nisë një hetim të menjëhershëm për gjetjen e autorëve të falsifikimit, pasi me një lidhje të drejpërdrejtë, gjetja e fajtorëve do t’i ndihmojë edhe sqarimit të plotë të Gërdecit, veçse këtë herë, në vendosjen e emrave për hienat që kërkojnë të përfitojnë politikisht nga tragjedia.
Bumçi: Falsifikimi provohet nga kaligrafia dhe nga diferencave e datave
Ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi sërish ka pohuar dje falsifikimin e shkresës, në të cilën supozohet se është bërë një shënim nga ana e tij. Duke mohuar shënimin, Bumçi ka saktësuar edhe një herë, diferencën e datave, të firmosjes së shkresës zyrtare nga ana e tij, dhe të shënimit të supozuar. “Unë i qëndroj gjithçkaje që kam thënë në deklaratën para dy ditësh, çdo fjalë, pikë e presje. Ai është qëndrimi im me përgjegjësinë politike e morale”, ka ripërsëritur dje Bumçi. Sërish dje Bumçi ka mohuar ti ketë drejtuar një shkresë djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berishës ku jepej informacion për Gërdecin.
Ish-Ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi ripërsëriti dje në përgjegjësinë e tij personale se dokumenti i propozuar nga opozita është falsifikuar duke renditur ndër arsyet kaligrafinë dhe diferencën e ditës kur është dërguar ky informacion.
“Çdo shkrim në dokumentin e pretenduar është i falsifikuar dhe nuk është i Ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, gjë e cila vërtetohet shumë thjeshtë nga vërtetimi i kaligrafisë, shkrimi im si ish-ministër Drejtësisë gjendet në qindra dokumente. Fakti i dytë është se në arshivën e Ministrisë së Drejtësisë nuk gjendet asnjë dokument origjinal, që protokollohet dhe ruhet në këtë ministri, që të përmbajë shënimin në fjalë”, ka sqaruar Bumçi.
...