Opozita: Është në pikëpyetje ratifikimi i MSA... Reagon Ministria e Integrimit: Brenda vitit përfundon ratifikimi i MSA-së nga vendet e BE-së
Ministria e Integrimit, ka reaguar lidhur me disa deklarata të pavërteta të bëra nga sipas saj, “minideputetë që nuk njohin as termat kryesorë të procesit të integrimit”. Duke konfirmuar se, “procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, po ecën me hapa të sigurt në respektim të plotë të detyrimeve që kërkohen nga BE-ja”, Ministria e Integrimit rendiste më pas rezultatet konkrete të këtij procesi.
“Deri tani MSA-ja është ratifikuar nga parlamentet e 22 vendeve anëtare ndërkohë që ka mbetur pa u ratifikuar plotësisht vetëm nga parlamentet e Francës, Gjermanisë dhe Greqisë të cilat janë në proces e që na bëjnë realisht të besojmë se ky proces do të përfundojë brenda këtij viti”, sqaronte Ministria e Integrimit.
Më pas, nëpërmjet njoftimit zyrtar të kësaj ministrie, mësohet, lidhur me detyrimet e të qenit shtet anëtar i BE-së, se, Shqipëria ka plotësuar deri tani 70 për qind të këtyre detyrimeve dhe është vendi që suprizoi pozitivisht strukturat evropiane, jo vetëm Komisionin, por edhe vendet anëtare me përgjegjshmërinë dhe cilësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ndërmjetme.
Për sa i përket përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis communautaire, aktet ligjore të përafruara, të shprehura në përqindje, përbëjnë 76 për qind të angazhimeve të ndërmarra në Planin Kombëtar të Zbatimit të MSA-së.
Pas rreth 2 vitesh në fuqi të Marrëveshje së Ndërmjetme, janë realizuar thuajse të gjitha detyrimet që rrjedhin prej saj: nga 31 detyrime janë realizuar 21 detyrime ose 68 për qind; janë në proces 10 detyrime ose 32 për qind.
Për përforcimin e strukturave shtetërore, veçanërisht Ministrinë e Integrimit dhe njësitë e integrimit në ministritë e linjës, të cilat do të përballen me situatën e re të krijuar pas hyrjes në fuqi të MSA-së, është hartuar kuadri i ri ligjor, projektvendimi “Për krijimin e strukturave koordinuese” që do të kalojë së shpejti në Këshillin e Ministrave.
“Për sa i përket mbledhjeve të Komitetit Ndërministror të Integrimit, i bëjmë thirrje minideputetit Balla që për hir të procesit, të integrohet me informacionin, të cilin edhe pa vënë në punë intelektin, mund ta gjejë në faqen tonë në web. I bëjmë thirrje opozitës që pikërisht për këtë proces me rëndësi kombëtare, të mos fabrikojë shpifje dhe të mos i referohet një dokumenti të papublikuar ende, siç është i vetmi raport progresi i BE-së për Shqipërinë dhe që do publikohet më 5 nëntor. Gjithashtu, në respekt të procesit të integrimit të vendit, i bëjmë thirrje ekspertëve të pavarur ose të pavarur në varësi, të mos lejojnë që njohuritë e tyre për procesin të keqpërdoren për qëllime të ngushta politike”, përfundonte njoftimi zyrtar i Ministrisë së Integrimit.
...