E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë bën gati tezën për përmbaruesit privatë

Ministri i ri do të përcaktojë datën e konkursit. Fituesit do të marrin licencat e para. Si do të bëhet përzgjedhja dhe çështjet që do të marrin për ekzekutim

Laureta Rryçi

Tiranë - Ministria e Drejtësisë bën gati tezën për konkursin e parë për të përzgjedhur përmbaruesit privatë. Burime pranë këtij dikasteri shpjeguan dje për gazetën “Albania” se specialistët kanë përcaktuar pyetjet që do të përmbajë teza dhe tani janë në pritje të përcaktimit të datës së konkursit. Këtë vit pritet të ketë më shumë konkurrentë për shkak se është hera e parë në vendin tonë ku jepen licenca për përmbarues privatë. Ligji “Për Përmbarimin Privat” u miratua një vit më parë nga Parlamenti, por aktet për zbatimin e tij vetëm tani po marrin formën ligjore. Pas këtij konkursi, Shërbimi Përmbarimor në vendin tonë do të jetë i sistemit të dyfishtë, duke u ushtruar nga dy sisteme paralele ekzekutimi; njëri Shërbimi Përmbarimor Shtetëror dhe tjetri nga Shërbimi Përmbarimor Privat. Kjo praktikë ndiqet sot në Rumani, e cila e aplikon këtë lloj sistemi për faktin e problematikës që shfaqin procedurat e ankandit në kolateralet e lëna si garanci për dhënien e kredive nga bankat.
Konkursi
Ndërsa ligji ka përcaktuar kriteret e përzgjedhjes, filtrimi i plotë i përmbaruesve privatë do të bëhet nëpërmjet konkursit. Specialistët e Ministrisë së Drejtësisë mësohet se do të ndjekin të njëjtën procedurë si për licencat e noterëve. Konkursi do të jetë i vlefshëm për personat që duan licenca individuale dhe licenca për persona që do të operojnë si studio me disa persona.
Gjatë momentin të hartimit të ligjit “Për Përmbarimin privat”, specialistët u shprehën se ky sistem i dyfishtë do të ishte i përkohshëm. Kjo për të parë se si do të funksiononte në sistemin shqiptar ekzekutimi i vendimeve të formës së prerë. Me mbarimin e këtij konkursi pritet që të përcaktohen në një akt të posaçëm edhe tarifat me të cilat do të operohet në tregun privat. Pritet që pagimi i të gjitha shpenzimeve nga shërbimi privat do të sjellë rritjen e tarifave për palët në proces ekzekutimi, të cilët ndoshta nuk mund t'i përgjigjen financiarisht rritjes së tarifave, duke bërë të pamundur zgjidhjen e të drejtave të tyre.
Dosjet
Dosjet që pritet t’u kalojnë përmbaruesve privatë u përkasin çështjeve që mbartin mjaft problematikë. Dhjetëra vendimeve të formës së prerë të gjykatës për lirim banese vazhdojnë të mos zbatohen dot nga Përmbarimi shtetëror qoftë edhe për mungesë mjetesh logjistike. Me aplikimin e sistemit privat, për institucionet shtetërore është vendosur që të trajtohen si çdo kreditor tjetër privat. Ato do të duhet t’i paguajnë tarifat në raport me objektin e ekzekutimit. Kjo do të ishte pozitive për shifrat e Përmbarimit mbi dosjet e ekzekutuara. Jo rrallëherë drejtuesit e zyrave përmbarimore janë shprehur se më tepër probleme kanë me ministritë, të cilat shpesh janë gjobitur për mosekzekutime. Sipas statistikave, çështjet ku shteti është në cilësinë e palës kreditore (ATK-ja, KESH-i, firmat piramidale, të ndryshme, gjobat penale), zënë pjesën më të madhe të çështjeve të regjistruara për ekzekutim pranë zyrave përmbarimore. Çështjet sociale, kryesisht me objekt "Takim, kujdestari fëmije dhe detyrim ushqimor", mund të shpërfillen nga ana e përmbaruesve privatë, sepse procedurat e zgjatura, negociatat me prindërit kërkojnë shumë kohë dhe sjellim pak përfitime për ta.

Çfarë do të ndodhë në zonat rurale

Është paramenduar që në emër të konkurrencës së lirë mundet që përmbaruesit të mos e ofrojnë fare shërbimin në zonat rurale. Përmbaruesit, të cilët duhet të operojnë në zonat rurale, nuk do të siguronin të ardhura të mjaftueshme nga mbledhja e tarifave, kjo duke marrë në konsideratë numrin e pakët të çështjeve për ekzekutim në këto zona.

Avantazhet e liberalizimit të këtij shërbimi:

Ulja e shpenzimeve buxhetore si dhe ulja e ngarkesës së punës të Shërbimit Përmbarimor Shtetëror

Rritja e cilësisë së Shërbimit Përmbarimor përmes ofrimit të një shërbimi më të motivuar dhe të plotësuar me mjete logjistike, burime financiare dhe njerëzore

Futja në treg e operatorëve të rinj, në kushtet e një konkurrence të lirë, të cilët do të merren me ekzekutimin e titujve ekzekutivë

Mundësi të reja punësimi për juristë

Ulje e fenomeneve korruptive në Shërbimin Përmbarimor Shtetëror

Përmbaruesit nuk do të kenë ndarje juridiksioni
Është parashikuar që Shërbimi Përmbarimor Privat të mund t'i ushtrojë funksionet e veta në mënyrë të pavarur në të gjithë territorin e vendit. Në këtë kuadër nuk do të ketë ndarje të juridiksionit sipas njësive vendore apo rretheve gjyqësore, gjë që do të thotë se një përmbarues privat në Tiranë mund të ekzekutojë një titull ekzekutiv edhe në një qytet tjetër. Përsa u takon procedurave ekzekutive, për shtetas shqiptarë apo të huaj, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, përmbaruesi privat do të procedojë sipas dispozitave ligjore në fuqi, konventave të ratifikuara dhe marrëveshjeve dypalëshe.

Përmbaruesi privat nuk mund të jetë:

- në funksione publike;
- në pozicione drejtuese ose mbikëqyrëse;
në shoqëritë e tjera tregtare;
në organizata jofitimprurëse;
në entet shtetërore;
noter;
avokat;
apo në ndonjë profesion tjetër që bie ndesh me ushtrimin, në mënyrë të paanshme të profesionit të tij administrator falimentimi ose likuidator i shoqërive tregtare, që janë në proces falimentimi ose likuidimi.

Rastet kur mund të vihet gjobë
Një ndër të drejtat që ka përmbaruesi privat gjatë ushtrimit të funksionit të tij është që të vendosë gjobë ndaj subjekteve fizike apo juridike që pengojnë në mënyrë të paligjshme procedurën e ekzekutimit, në zbatim të K. Pr. Civile. Është kjo arsyeja që përmbaruesi privat, megjithëse është një subjekt privat, ushtron një funksion publik. Në qoftë se përmbaruesi privat nuk do ta gëzonte këtë atribut, do të ekzistonte mundësia dhe rreziku i komprometimit të procedurës së ekzekutimit.
Vetëm pajisja me këtë atribut do të mundësonte zbatimin e detyruar të titullit ekzekutiv nga subjektet.

22 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›