E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë dhe dy proceset e mëdha, “Basha” e “Mediu”

Vëzhgim mbi seancat e mirëpërcaktuara nga axhendat e dy ministrave. Proceset që nuk dhanë pafajësi, por i kyçën njëherë e mirë dosjet

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykatës së Lartë iu dha mundësia dy herë këtë vit që t’i rikthente opinionit publik besimin te Drejtësia. E megjithatë, kolegjet penale i kyçën njëherë e mirë dy dosjet më të mëdha, “Basha” e “Mediu”, pavarësisht se nuk u dha pafajësi. Precedenti i shumëpritur nuk u ligjërua. Seancat gjyqësore u mirëpërcaktuan nga axhendat e dy ministrave dhe u zhvilluan vetëm atëherë kur dëshiruan ata. Shembullorët e procesit që nuk munguan në asnjë seancë ishin vetëm prokurorët dhe familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit në procesin “Mediu”. Për të dyja dosjet u nis gjykimi gjatë këtij viti dhe të dyja patën të njëjtin fat: Zgjatën vetëm pak kohë dhe u pushuan pa nisur gjykimi për ta. “Kolegji penal nuk mund të riparonte pavlefshmëritë e krijuara nga institucioni i akuzës”. Kështu shkruhet midis rreshtave të një prej vendimeve të argumentuara të Gjykatës së Lartë për çështjen në fjalë. Në këtë mënyrë, pesëshja e gjyqtarëve kanë larë ndërgjegjen me Drejtësinë duke ia kaluar përgjegjësinë tërësisht trupës së prokurorëve. Ndërsa dy vendimet e Kuvendit për heqjen e imunitetit s’i shërbyen kurrkujt.
“Basha”
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i cilësoi më 9 prill të këtij viti të pavlefshme nga ana procedurale të gjitha veprimet e Prokurorisë së Përgjithshme, të kryera pas përfundimit të afatit ligjor të hetimit, që ishte 6 nëntori 2008. Kolegji Penal pushoi çështjen me vendim të formës së prerë duke argumentuar me termin “pavlefshmëri absolute” edhe dërgimin e kërkesës për gjykim në Gjykatën e Lartë. Në këtë logjikë, Kolegji madje deklaroi se ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, i është shkelur e drejta kushtetuese për t’u njohur me aktet, duke e penguar atë që të përgatitej për t’u mbrojtur. Në këtë mënyrë, Gjykata e Lartë i ka dhënë fund të gjithë odisesë së hetimit për një nga çështjet më të përfolura të qeverisjes së demokratëve, atë të abuzimeve me tenderin e segmentit rrugor “Durrës-Kukës”. Mirëpo faktet duket se janë edhe më kokëforta. Pasi që në krye të herës së hetimit të tij Lulzim Basha ka refuzuar disa herë bashkëpunimin me organet e Drejtësisë. Porsa Prokuroria e Tiranës nisi çështjen për tenderimin e rrugës, Basha ofroi “mbështetjen” e tij dhe të Ministrisë për çdo dokumentacion të nevojshëm, por, kur pas shqyrtimit të dokumentacionit prokurorët e Tiranës deshën ta merrnin në pyetje, Basha doli para kamerave dhe e quajti Prokurorinë si “politike dhe nën urdhrat e verbër e të njëanshëm të Theodhori Sollakut”. Më vonë, pas emërimit të Ina Ramës në krye të organit të akuzës, Basha shkoi vetë në Prokurorinë e Përgjithshme për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjen, por përsëri këtë gjë vetëm një herë, pasi mbyllja e hetimeve e gjeti atë fajtor dhe ministri i Jashtëm nuk denjoi të paraqitej për të marrë akuzën që i kishin veshur prokurorët e çështjes.
“Mediu”
I njëjti skenar u përsërit. Dosja për tragjedinë e Gërdecit mbërriti pak ditë pasi i ishte vënë kapaku dosjes “Basha”. Ndryshe nga ministri Basha, Mediu nuk shkeli në Gjykatën e Lartë qoftë edhe për një herë të vetme. Ky vendim i takonte vetëm atij, edhe pse u kërkua jo pak herë nga të afërmit e viktimave që të ishte prezent në gjyq. Dosja kishte 29 të pandehur. Mirëpo në seancën e parë gjyqësore avokatët ngritën pretendimin se klientët e tyre nuk kishin statusin e deputetit, kësisoj u takonte të gjykoheshin në Gjykatën e Shkallës së Parë. U tha, u bë. Kërkesa u pranua, dosja kaloi për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Seanca, që duket se ka përcaktuar fatin e procesit, ka qenë pikërisht ajo e datës 6 korrik të këtij viti. Për koincidencë, ka qenë tuneli që akuzoi Bashën që shpëtoi edhe Mediun. Avokatët e ministrit i kishin bërë një shkresë gjykatës që nuk mund të ishin të pranishëm se ishte bllokuar rruga Durrës-Kukës. Kolegji penal vendosi ta caktojë seancën e ardhshme për në datën 14 shtator. Të parët që reaguan ndaj këtij vendimi ishin familjarët e viktimave. “Gjykata po bëhet palë me ministrin, e ka lënë datën e gjyqit pas zgjedhjeve”, - u shprehën asokohe disa nga banorët për median pak çaste pasi kanë lënë sallën e gjyqit, ku prisnin të merrnin drejtësi për familjarët e humbur. Ndërsa dy ditë më parë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi dëgjoi mbrojtësit e të pandehurit Fatmir Mediu që pretenduan faktin e zgjedhjes deputet të të mbrojturit prej tyre, fakt që sipas tyre kushtëzon vazhdimin e ndjekjes penale dhe përfaqësuesit e organit të akuzës që kërkuan vazhdimin e gjykimit, vërejtën se: në bazë të Vendimit Nr. 602, dt. 01.08.2009 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se i pandehuri Fatmir Mediu është zgjedhur deputet i Legjislaturës së 18-të të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo rrethanë nuk lejon vazhdimin e procedimit penal në ngarkim të tij për aq sa nuk ka një autorizim për ndjekje penale të dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë mbas marrjes prej tij të mandatit të deputetit.

Deklarata e Shpresa Beçajt
“...Liritë dhe të drejtat vetjake të sanksionuara në Kushtetutë i japim mundësi dhe garanci çdo shtetasi që këto të drejta, të shkelura ose të mohuara, t’i kërkojë me forcë dhe t’i gjejë te drejtësia që jepet nga gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit, nga Gjykata e Lartë, si organi suprem i pushtetit gjyqësor, nga Gjykata Kushtetuese kur shkelen të drejtat e tyre për një proces të rregullt ligjor, si dhe në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Çdo qytetar shqiptar duhet të kuptojë domosdoshmërish se drejtësinë duhet ta kërkojë dhe ta gjejë te pushteti gjyqësor, dhe jo te sekserët, të cilët janë fatkeqësisht jo të pakët në numër ndër avokatë, punonjës të agjencive shtetërore e private dhe ndërmjetës të tjerë të paligjshëm...”.

Dosja “Basha”

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i caktuar me shortin e datës 12.12.2008, i përbërë nga:
Spiro Spiro, kryesues
Perikli Zaharia, anëtar
Irma Bala, anëtare
Besnik Imeraj, anëtar
Aleksandër Muskaj , anëtar

Akuza: Për krimet e shpërdorimit të detyrës dhe të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike,
të kryera në bashkëpunim, që parashikohen, përkatësisht, nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal, në lidhje me Nenin 25 të tij.

Dosja “Mediu”
Kolegji i përcaktuar me short, përbëhej nga:
Besnik Ymeraj
Evelina Qirjako
Evjeni Sinojmeri
Irma Bala
Ardian Nuni

Akuza: Akuzuar për veprën penale “shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 të K. Penal, si dhe akuzuar për veprën penale ushtarake “shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim, me subjekt ushtarak kuadërkomandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të K. P. Ushtarak dhe Neni 25 i K. Penal.

Deklarata e Bashës ditën kur u pushua çështja
Ministri i Jashtëm ka dalë i qetë nga selia e Gjykatës e Lartë. “Me vendimin e Gjykatës merr fund komploti ndaj aksit ‘Durrës-Kukës’. Kjo është dita e vajtimit të komplotistëve kundër rrugës Durrës-Kukës”, - tha ministri pak çaste para se të largohej përfundimisht nga Gjykata.

Deklarata e Mediut ditën kur u pushua çështja
Pas pushimit të çështjes nga Gjykata e Lartë, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, shprehet se nuk i njeh vetes asnjë lloj imuniteti, ndërsa kërkon zbardhjen e plotë dhe me transparencë të tragjedisë së Gërdecit. "Nuk i njoh vetes asnjë lloj imuniteti për hetimin e kësaj çështjeje. Përfaqësuesit e mi ligjorë, pavarësisht nga kushtet e reja procedurale, kërkuan vazhdimin e gjykimit me anë të një memoje", - thuhet në deklaratën për media të Mediut. I rizgjedhur deputet e njëherazi i dekretuar nga presidenti si ministër i Mjedisit, me propozim të Berishës, Mediu theksoi se pozicioni i tij i ri nuk i jep asnjë imunitet shtesë dhe kërkon hetimin dhe gjykimin e çështjes deri në fund.

16 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›