E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhen pikat kryesore të programit qeverisës të PD-së



Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha do të lexojë sot në seancën parlamentare programin e ri politik të PD-së në bashkëpunim me LSI-në, mbi bazën e të cilit do të qeveriset vendi gjatë katër viteve të ardhshme. Burime nga qeveria kanë bërë të ditur se ministrat e rinj të propozuar nga Berisha gjatë këtyre ditëve kanë punuar intensivisht për të përgatitur një paketë prioritetesh që synojnë të arrijnë në dikasterin ministror që do të drejtojnë. Edhe kreu i qeverisë mësohet se bashkë me këshilltarët e tij, ministrat e “vjetër” dhe ata të rinj, kanë zhvilluar një sërë konsultash gjatë këtyre ditëve për të hartuar një përmbledhje të programit, të cilin do ta lexojë gjatë ditës së sotme në Kuvend. Burimet kanë bërë të ditur se programi i PD-së përmban si pika kryesore pikërisht premtimet që kreu i qeverisë ka bërë gjatë fushatës elektorale.
Programi
Një ndër prioritetet kryesore të qeverisë së re që rrjedh nga bashkëpunimi i PD-së me LSI-në do të jetë pikërisht integrimi i vendit në strukturat e Bashkimit Europian. Në programin e PD-së për mandatin qeverisës 2009-2013 parashikohet heqja e sistemit të vizave me BE-në brenda 365 ditëve të para të mandatit, si dhe hapja e negociatave për anëtarësim të plotë në BE. Prioritet i dytë është renditur punësimi. Qeveria e re synon të ulë papunësinë në mesataren e 6 vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe të hapë 160 000 vende të reja pune në sektorë të tillë si: ndërtimi i 104 hidrocentraleve; ndërtimin e mijëra kilometrave rrugë, ujësjellësve, kanalizimeve; ndërtimin e shkollave dhe spitaleve; ndërtimin dhe funksionimin e porteve dhe aeroporteve të reja; ndërtimin e 6 parqeve të reja industriale në Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan dhe Fier, si dhe në ndërtimin dhe shërbimin në dhjetëra resorteve turistike. Prioriteti tjetër i qeverisë së re gjatë katër viteve të mandatit të dytë qeverisës vazhdon të mbetet infrastruktura. Demokratët synojnë që të sigurojnë 24 orë ujë për të gjitha familjet shqiptare në katër vitet e ardhshme. Në program parashikohet të ndërtohen akset më të shkurtra kombëtare si Boshti i Jugut, Tiranë-Elbasan-Berat-Kuçovë-Tepelenë, Rrugën e Arbrit, Bulqizë-Tiranë, Fierzë-Koman, Konispol-Sarandë, Vermosh-Shkodër dhe Qafë Plloçë-Qukës. “Sigurojmë që çdo qytet në Shqipëri të lidhet me rrugën më të shkurtër me Tiranën. Çdo komunë të jetë jo më shumë se 15 minuta larg me makinë nga rruga kombëtare. Çdo fshat do të jetë i lidhur me komunën me rrugë të asfaltuar”, - shkruhet në programin e qeverisë së re. Kabineti i ri qeveritar, përveç reformave të reja që synon të nisë në këto katër viteve, do të vazhdojë reformat e nisura gjatë mandatit të parë. Në programin e ri të PD-së synohet vazhdimi i rritjes së pagave dhe pensioneve. Qeveria e re do të vazhdojë rritjen e rrogave në të gjithë sektorët e administratës duke kaluar 6 vende anëtare të BE; do të barazojë pensionet e fshatit me ato të qytetit; do të synojë arritjen e pensioneve më të larta se në 6 vende anëtare të BE-së, si dhe do të rrisë ndihmën sociale mbi 2 dollarë në ditë brenda vitit 2010. Në programin e ri të qeverisë një vëmendje të veçantë u është dhënë investimeve në fshat, që synojnë që çdo komunë të jetë jo më shumë se 15 minuta larg me makinë nga rruga kombëtare dhe çdo fshat do të lidhet me komunën me rrugë të asfaltuar. Qeveria e re premton se do të vazhdojë subvencionimin e naftës dhe imputeve për sipërfaqe të mbjellë, si dhe të japë kredi pa interes për prodhimin e produkteve bujqësore, ndërsa premtimi më madhor është financimi i fshatarëve për mbledhjen e 20 milionë rrënjëve ulliri. Dy nga prioritetet parësore të qeverisë së re janë, pa dyshim, arsimi dhe shëndetësia. Përsa i përket arsimit PD-ja synon rritjen me 6% të GDP-së së për këtë sektor, rritjen e rrogave të arsimtarëve më shumë se në 6 vende të BE-së, ndërtimin e shkollave të reja, hapjen e shkollave profesionale dhe inkurajimin e sektorit privat. Përsa i përket shëndetësisë, në program parashikohet që buxheti për këtë sektor të rritet me 60%, rrogat e mjekëve dhe infermierëve të rriten më shumë se në 6 vende të Bashkimit Europian, të inkurajohet sektori shëndetësor privat nëpërmjet lehtësirave fiskale si dhe të ofrojë paketë rimbursimesh për barnat dhe kujdesin shëndetësor gjatë shtatzënisë. Qeveria e re synon gjithashtu të vazhdojë luftën kundër korrupsionit duke ristrukturuar sistemin e regjistrimit të pasurive të patundshme, si dhe reformimin e të gjitha procedurave në të gjithë sektorët ku shfaqen ende fenomene korrupsioni.

Topi bisedon me Gyl

Presidenti turk do të vizitojë Shqipërinë më 9 dhjetor

Presidenti Topi zhvilloi dje një bisedë të përzemërt e miqësore me Presidentin e Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl. Të dy homologët vlerësuan lart marrëdhëniet e shkëlqyera dhe vëllazërore që ekzistojnë mes dy vendeve tona në të gjitha fushat, diskutuan edhe për situatën në rajonin ballkanik si dhe për përmbushjen e aspiratave integruese të dy popujve për në Bashkimin Europian. Presidenti Topi u interesua për situatën në Turqi duke shprehur edhe njëherë keqardhjen për viktimat dhe të zhdukurit nga përmbytjet e fundit në Stamboll. Ndërsa presidenti turk, Gyl, nga ana e tij, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së bërë nga presidenti Topi për të vizituar Shqipërinë, e informoi kreun e shtetit shqiptar që e ka përshpejtuar vizitën e tij të planifikuar në vitin 2010, duke rënë dakord që ta zhvillojë atë në datat 9-10 dhjetor 2009. Presidenti Topi e uroi Presidentin e Turqisë dhe nëpërmjet tij, i përcolli mbarë popullit mik turk urimet më të mira e të përzemërta për muajin e madhërishëm të Ramazanit.

16 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›