Pas raportit të OSBE-së, Kryesia e PS-së, mbledhje për diskutimin e bojkotit
Shaban Sulçe
Kryesia e Partisë Socialiste pritet të mblidhet gjatë këtyre ditëve për të marrë një tjetër vendim, i cili ka të bëjë me vazhdimin ose ndërprerjen e bojkotit të Kuvendit. Vendimi pritet të merret pas analizimit të hollësishëm që do t’i bëhet raportit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, të publikuar nga OSBE-ODIHR-i dy ditë më parë. Gjithashtu, në analizë do të merret edhe qëndrimi që ka mbajtur maxhoranca dhe qeveria ndaj kushteve të vendosura nga ana e Partisë Socialiste. Këto do të jenë dy elementet kryesore, mbi të cilat do të bazohet vendimi i ardhshëm i Kryesisë për vazhdimin ose ndërprerjen e bojkotit të Kuvendit. Gjithsesi, vendimi i Kryesisë pritet të ketë vetëm karakter propozues, pasi do të jetë Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ai që do të vendosë përfundimisht në lidhje me këtë çështje. Burime nga selia rozë thanë se shumë shpejt pritet të mblidhet edhe Grupi Parlamentar, i cili do të vendosë për afatin e bojkotit të Kuvendit nga ana e Partisë Socialiste.
Raporti
Raporti i OSBE-ODIHR-it është lexuar nga Partia Socialiste si shprehje e qartë e cenimit të zgjedhjeve nga maxhoranca aktuale. Për këtë arsye, selia rozë pritet të këmbëngulë edhe më shumë në drejtim të qëndrimit të saj për të pasur marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, pra ta bojkotojë atë deri në plotësimin e kushteve. Gjithsesi, në Partinë Socialiste ekzistojnë dy qëndrime të kundërta në lidhje me këtë çështje. Kundërshtarët e kryetarit në detyrë Edi Rama kanë deklaruar se pavarësisht mungesës së standardeve që citoheshin në raport, bojkotimi i Parlamentit nga ana e PS-së nuk është i justifikueshëm. Ajo që dihet është fakti se në Kryesinë e PS-së pritet të ketë sërish një përballje të ashpër në lidhje me këtë çështje. Nga njëra anë Rama dhe mbështetësit e tij do të kërkojnë vijimin e bojkotit, ndërsa kundërshtarët e tij, Blushi, Malaj, Harasani dhe Islami, pritet të insistojnë për rikthimin e PS-së në Kuvend. Madje ata kanë shpallur edhe fillimin e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, motoja e së cilës është “Jo bojkotit”.
Kushtet
Kushtet e vendosura nga PS-ja për hyrjen në Parlament u hartuan nga një grup i posaçëm i krijuar në radhët e Grupit Parlamentar socialist. Kushtet kanë të bëjnë me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, me rinumërimin e votave në disa zona zgjedhore, vënien para ligjit të zyrtarëve që abuzuan me lejet për të dënuarit, rikthimin në punë të aktivistëve të PS-së, mbrojtjen e medias nga presioni qeveritar, si dhe zbardhja e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindit. Hetimi administrativ i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe zbardhja e maskaradës zgjedhore është dhe kushti kryesor i vendosur nga Partia Socialiste për hyrjen në Kuvend. Për këtë socialistët kërkojnë miratimin e një ligji të posaçëm për hetimin e zgjedhjeve, krijimin e një komisioni të posaçëm hetimor, drejtuar me shumicë nga opozita parlamentare, si dhe me praninë e OSBE-ODIHR-it. PS-ja ka vendosur si kusht edhe kërkesën për transparencë për të gjitha pretendimet për shkelje dhe parregullsi ndërmjet administrimit të çdo materiali zyrtar, dëshmie apo dokumenti që lidhet me zgjedhjet, përfshirë materialet zgjedhore që ndodhen në kutitë e votimit. Selia rozë kërkon gjithashtu identifikimin e përgjegjësive të të gjithë zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë apo administratës së burgjeve, që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, kanë pajisur me leje lirimi të përkohshme gjatë periudhës elektorale 29 maj - 28 qershor 2009 persona të dënuar. Një tjetër kusht i rëndësishëm i Partisë Socialiste është rikthimi në pozicionin e mëparshëm të punës të të gjithë punonjësve të shtetit në administratën vendore e qendrore, të cilët u pushuan apo u transferuan nga puna, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, për shkak se kontribuuan në fushatën e Partisë Socialiste, apo ishin përfaqësues të opozitës në komisionet zgjedhore. Partia Socialiste kërkon ndryshimet përkatëse ligjore për balancimin e plotë qeveri-opozitë në Këshillin Kombëtar të Radio Televizionit Publik, si edhe ndalimin e reklamave televizive qeveritare jashtë periudhës zgjedhore.
PS-ja, bojkot dy seancave të para të Kuvendit
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka bojkotuar deri tani dy seancat e zhvilluara në Kuvend. Socialistët munguan në seancën e parë ku u bë prezantimi i Kuvendit të ri, seancë e cila u drejtua nga deputeti Fatos Beja. Grupi Parlamentar socialist bojkoti gjithashtu edhe seancën e ceremonisë së betimit të deputetëve dhe zgjedhjes së kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Në këtë seancë i vetmi i pranishëm nga opozita ishte deputeti i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Me shumë mundësi pritet që socialistët të mungojnë edhe në seancën e ditës së nesërme, ku pritet të bëhet votimi i qeverisë së re. Partia Socialiste ka përcaktuar qartë se nuk hyn në Kuvend në rast se nuk plotësohen kushtet e vendosura prej saj.
16 Shtator 2009