Seanca parlamentare, deputetët miratojnë sot pa debat ministrat e rinj
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në konsultim me kryeministrin Sali Berisha, ka vendosur dje që seanca për miratimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimin e Këshillit të ri të Ministrave të mbahet sot në orën 18:00. “Bazuar në Nenin 110, pika 1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë në të cilin thuhet se ‘data e seancës plenare për miratimin e programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, në zbatim të Nenit 97 të Kushtetutës, përcaktohet nga kryetari i Kuvendit në marrëveshje me kryeministrin’, njoftojmë se, kryetarja e Kuvendit, në marrëveshje me kryeministrin e Shqipërisë, kanë vendosur mbledhjen e Parlamentit në seancë plenare ditën e mërkurë, datë 16 shtator 2009, ora 18:00”,- shkruhet në njoftimin për shtyp të Kuvendit të Shqipërisë. Rendi i ditës i seancës së sotme parlamentare parashikon miratimin e ministrave të rinj dhe miratimin e programit politik të PD-së dhe LSI-së për qeverisjen e vendit gjatë katër viteve të ardhshme. Në Rregulloren e Kuvendit parashikohen që ministrat e rinj dhe programi politik i qeverisë votohet gjithmonë me votim të hapur. “Votimi i hapur bëhet me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike. Votimi bëhet përherë i hapur në rastet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërim dhe shkarkim ministri”, - shkruhet në Nenin 58 të Rregullores së Kuvendit. Parashikohet që votimi i ministrave të kalojë pa debate dhe që të gjithë të marrin shumicën e votave të deputetëve të pranishëm në sallë. Kjo për faktin se PS-ja nuk do të marrë pjesë në seancë, pasi do të vazhdojë bojkotimin e seancave të Kuvendit deri në një vendim të dytë të strukturave të larta drejtuese të kësaj partie. Pas miratimit të ministrave të rinj, kryeministri Berisha do të prezantojë para deputetëve programin politik të PD-së që do të miratohet gjithashtu pa debate dhe që do të marrë shumicën e votave.
16 Shtator 2009