Ministria e Ekonomisë: Zonat me rrezik në Bulqizë nuk kanë licencë
>Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka reaguar dje në lidhje me aksidentin e ndodhur tek Galeria 62 në zonën qendrore-jugore të ish- minierën e Bulqizës. Mësohet se galeria ka qenë e mbyllur me shembje, pasi ndodhet brenda zonës së kategorisë së parë, e caktuar me urdhër të ministrit të Ekonomisë, Nr. 488, datë 30.06.2008, për të cilën nuk parashikohet asnjë dhënie leje për shfrytëzim.
Për më tepër, sipas burimeve të ETE-s, në fund të muajit shtator 2008, hyrja e kësaj galerie është mbyllur me shembje në prezencë të forcave të policisë. Para dy ditësh, dy banorë të zonës u futën në këtë galeri në një nga zonat e shembura dhe duke shfrytëzuar pushimin e të dielës, kanë hapur një kalim të ngushtë sa për të kaluar barkas dhe kanë punuar për disa orë, derisa njëri prej tyre u aksidentua me pasojë, vdekjen. Burime zyrtare të ETE-s, thanë gjithashtu se kjo galeri nuk ka lidhje jo vetëm me DARFO-n, por me asnjë leje tjetër shfrytëzimi të dhënë në këtë zonë, e cila si dhe dhjetëra të tjera që gjenden në një zonë rreziku të Kategorisë së parë, nuk do të jepen asnjëherë me leje shfrytëzimi. Reparti i Inspektim Shpëtim-Minierave ishte prezent që në momentet e para pas aksidentit dhe në bashkëpunim me organet e rendit dhe të prokurorisë, ka përcaktuar rrethanat e aksidentit. Ndërkohë, ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bëri të ditur se do të vijojë të bashkëpunojë me organet e Rendit dhe Prokurorinë, në mënyrë që aksidente të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.