E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuha spanjolle, departamenti më i ri tek Gjuhët e Huaja

>Departamenti i Gjuhës Spanjolle do të jetë sektori më i ri në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Tiranës, pas miratimit për çeljen e tij nga Senati ditën e djeshme, bazuar në një propozim të Këshillit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Pas konfirmimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pritet që shumë shpejt të komandohet përgjegjësi për këtë degë nga dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, ku janë deri tani 6 degë të gjuhëve të huaja", bëri të ditur rektori i UT-së, Prof. Dr. Dhori Kule, gjatë një konference për shtyp së bashku me Ambasadorin e Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio.  Duke falenderuar ambasadorin për kontributin e dhënë në realizimin e departamentit të ri për gjuhën spanjolle, Kule tha se, këtë vit akademik 40 studentë kanë nisur t'a studiojnë gjuhën spanjolle pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe falë kontributit të ambasadorit Montobio, është mundësuar ardhja e dy pedagogëve spanjollë. Ne kemi marrë premtimin e ambasadorit spanjoll për krijimin e mundësive që stafi i ri pedagogjik të realizojë specializime dhe kualifikime në institucione të ndryshme të Spanjës, u shpreh ai. Çelja e departamentit të gjuhës spanjolle u konsiderua nga ambasadori Montobio, si një hap i rëndësishëm, i cili tregon se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Spanjës të mos jenë vetëm marrëdhënie të shkëlqyera midis qeverive por edhe shoqërive. Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë në krijimin e departamentit të gjuhës spanjolle nga qeveria. Sipas Montobios, ky departament do të ketë standarde të larta në përputhje me ato të vendeve të BE-së. Me çeljen e këtij departamenti, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të ofrojë mësimdhënie për shtatë gjuhë (anglisht, italisht, rusisht, turqisht, gjermanisht, frengjisht dhe spanjisht). Sipas verifikimeve që ka kryer së fundi ky fakultet, vihet re interes në rritje nga të rinjtë për të studiuar gjuhën spanjolle. Kjo gjuhë flitet në Spanjë, në Amerikën Qendrore, në të gjithë Amerikën Jugore, me përjashtim të Brazilit, nga rreth 500 milionë vetë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›