Akciza e naftës ngrin në 37 lekë për litër
>Qeveria Shqiptare ka ngrirë akcizën e naftës në 37 lekë për litër. Domosdoshmëria e parave në arkën e shtetit e ka detyruar qeverinë të vendosë që të mbajë të ngrirë akcizën e karburanteve në 37 lekë për litër për naftën dhe 50 lekë për benzinën. Aktualisht, kjo taksë për naftën varion në jo më pak se 27 lekë dhe jo më shumë se 37 lekë për litër. E njëjta situatë shfaqet edhe për benzinën, akciza e të cilës shkon jo më pak se 37 lekë dhe jo më shumë se 50 lekë për litër.
Specialistët e Ministrisë së Financave shprehen se kjo masë nuk do të sjellë ndryshime në treg, por vetëm do të stabilizojë më shumë çmimet. Sipas drejtores së politikave fiskale në Ministrinë e Financave, Arjana Dyrmishi, tashmë akciza unifikohet duke i trajtuar të gjithë operatorët njësoj. Kështu, një importues do të paguajë njësoj si në rast se ble naftë vendi edhe në rast se ble naftë importi. Efekti në të ardhurat e shtetit nga fiksimi i kësaj takse arrin në 1.5 miliard lekë. Grosistët bëjnë të ditur se kjo masë do të reflektohet në tregun me pakicë duke sjellë çmime më të larta për konsumatorët shqiptarë. Ligji i mëparshëm i detyronte tregtarët që të paguanin një normë akcize të barabartë me 75 për qind të çmimit deri në doganë, por me kusht që vlera të mos ishte më e vogël se 27 lekë për litër dhe më e madhe se 37 lekë për litër. Shkak për ndryshimin e ligjit për akcizën ka qenë ulja drastike e çmimit të naftës në bursa e cila ka bërë që vlera reale e akcizës që paguajnë tani tregtarët të jetë kufiri i poshtëm ai 27 lekë për litër ,duke sjellë një tkurrje të të ardhurave në buxhet. Vendimi i fundit fikson akcizën në vlerën më të lartë për lëndët djegëse, duke ndalur në këtë mënyrë rënien e mëtejshme të çmimit të karburanteve. Importuesit e shohin këtë masë të qeverisë, si një shenjë barazie në treg, por çdo politikë e qeverisë për të rritur kostot në logjikën e biznesit përkthehet në rritje çmimi, thotë Viktor Nushi, i Shoqatës së Hidrokarbureve. Fiksimi i akcizës parashikohet të nisë zbatimin në praktikë brenda muajit shkurt, në një kohë kur Parlamenti do të miratojë ndryshimet e nevojshme. Kjo do të thotë se edhe sikur çmimi i naftës të ulet më tej në tregjet ndërkombëtare, konsumatori shqiptar do të ndjejë efektin e kundërt.