E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hipin në autobus për Tiranë, i ikën e fejuara

17/03/2010 Ishin në Durrës për Ditën e Verës, denoncon në polici

Një shtetas denoncon dhe zhdukjen e nuses, i biri emigrant

DURRES- Udhëtimi drejt Tiranës ka sjellë të papritura për një shtetas nga Skrapari me banim në Tiranë, pasi në rrugë e sipër ai ka mbetur pa të fejuarën e tij. A. A, i lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë, ka qenë së bashku me të fejuarën e tij 19-vjeçare me inicialet E. M në Durrës për Ditën e Verës. Ata kanë kaluar disa orë buzë detit dhe pasi kanë ngrënë drekë në një lokal në Plazh, kanë marrë rrugën për t’u kthyer. Djali nga Skrapari ishte fejuar me shtetasen E. M në verën e vitit të kaluar, si dhe kishin kryer formalitetet e lidhjes së kurorës. Por dje, djali nga Skrapari është detyruar të kërkojë ndihmën e policisë për të gjetur të fejuarën. Sipas burimeve policore, A. A mësohet se në ora 13:00, të datës 14 mars, ka qenë së bashku me të fejuarën te stacioni i trenit dhe kanë hipur në autobus për t’u kthyer në Tiranë. Denoncuesi është shprehur i sigurt se së bashku me të në autobus ka hipur edhe e fejuara, por, meqë nuk ka pasur vende për të qëndruar bashkë, janë ndarë duke kërkuar vende të lira në autobus. Vajza 19-vjeçare ka të ngjarë të ketë zbritur ende pa u nisur autobusi, por asgjë nuk është thënë për drejtimin që mund të ketë marrë. Po dje në polici ka përfunduar edhe matjani Remzi A., banues në Shkozet. 63-vjeçari ka vërejtur se nusja e djalit të tij ishte larguar nga shtëpia pa vënë në dijeni familjarët. Vjehrri e ka kërkuar gjithandej nusen e shtëpisë, 20-vjeçaren B. A, edhe ajo e lindur në Mat. Pasi nuk ka marrë asnjë përgjigje, kryefamiljari ka vendosur ta denoncojë rastin me shpresë se strukturat e policisë do të identifikonin vajzën. Sipas kallëzimit në polici, 63-vjeçari ka bërë të ditur se djali ishte emigrant në Greqi dhe se gjatë kësaj kohe nuk ka pasur mosmarrëveshje me nusen e të birit. Janë kryesisht vajza të reja të moshës nga 18 deri në 25 vjeçe ato që kanë zënë kreun e tabelës së femrave të larguara nga shtëpia, ndërsa nuk mungojnë edhe gra me fëmijë. Dhjetë ditë më parë, një vajzë shkolle humbi për 4 ditë dhe më pas u shfaq e vetëmartuar. Vetëm 3 ditë më pas, nga e njëjta shkollë dy vajza u deklaruan të humbura, për t’u gjetur rreth 36 orë më pas. Të njëjtën ditë, një nënë 26 vjeçe nga Spitalla e Durrësit ka marrë fëmijën përdore dhe është larguar në drejtim të paditur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›