Ekonomistët: 2010, viti i kthesës për ekonominë
Ekonomia botërore po e merr veten nga recesioni i saj më i rëndë që nga vitet 1930-të. Por shumë ekonomistë thonë se mund të kishte qenë shumë më keq, ndërsa theksojnë se ky do të jetë viti i kthesës për ekonominë botërore. Ekzistonte me të vërtetë frika e përsëritjes së një situate të ngjashme me Depresionin e Madh në vitet 1930-të. Në këtë rast, pati një recesion shumë të thellë dhe veprimtaria globale ekonomike u tkurr për herë të parë në
më shumë se gjysmë shekulli. Qeveritë në vendet në zhvillim përdorën çdo mjet për të zgjidhur këtë problem. Pati shpëtim të bankave, përqindje interesi tepër të ulëta, programe për shpenzime publike dhe disa masa të pazakonta për të rritur furnizimin me para. Nuk ka mundësi që të jetë ai lloj zgjerimi i fuqishëm i ngjashëm me pjesën e parë të dekadës. Konsumatorët në shumë ekonomi veçanërisht në SHBA dhe Britani kanë borxhe të mëdha që ata duan që t'i ulin. Bankat janë gjallë, por shumë prej tyre u plagosën rëndë nga kriza. Dhe recesioni shkaktoi dëme ndaj financave të qeverive në këto dhe vende të tjera. Borxhet qeveritare po rriten me shpejtësi. Rritja e taksave dhe uljet e shpenzimeve janë të mundshme dhe ato ndoshta do ta kufizojnë rritjen ekonomike. Shumë vende në zhvillim dolën nga kriza në një gjendje më të mirë, por rritja e dobët në vendet e pasura do të jetë një problem për to ndërsa ato eksportojnë mallra në botën e zhvilluar. Por fare lehtë mund të kishte qenë shumë, shumë më keq.