Çmimi i naftës 84 dollarë fuçia, në Shqipëri me 128 lekë
Pavarësisht se çmimi i naftës së papërpunuar në bursën e Nju Jorkut ka shënuar rekord të ri duke u kuotuar me 84 dollarë për fuçi, në vendin tonë çmimi i naftës nuk ka pasur ndryshime. Edhe ditën e djeshme një litër naftë Disel është shitur më 124 lekë, ndërsa një litër naftë euro Disel është shitur me 128 lekë. Mesa duket grosistët shqiptarë nuk kanë ndjekur sërish të njëjtin shembull me atë të herëve të tjera. Pasi sa herë që nafta kishte tendencë rritjeje
në bursën botërore, në vendin tonë kjo rritje ishte e menjëhershme. Çmimet u rritën pasi të dhënat e qeverisë amerikane treguan se prodhimtaria industriale në shtator është rritur për të tretën herë radhazi. Lajmi vjen pas publikimit të një raporti nga një organizatë britanike për naftën që thotë se burimet e arit të zi në botë mund të reduktohen në vitet e ardhshme. Drejtuesit e organizatës thonë se ka marrë fund koha kur çmimi i naftës ishte i lirë. Mendohet se prodhimi i naftës do të rritet me mbi 100 milionë fuçi përpara se burimet të harxhohen. Disa grupe kërkimore të tjera thonë se prodhimi i naftës do të jetë i qëndrueshëm gjatë shekullit të 21-të, ndërsa kompanitë njoftojnë se burimet e reja të zbuluara në Angola, Brazil dhe Gjirin e Meksikës, mjaftojnë për të përmbushur kërkesat e botës. Kjo ka hedhur poshtë edhe parashikimet e OPEK, e cila kishte parashikuar rritjen e naftës vetëm në vitin 2011. Një rol kryesor në rritjen e çmimit të naftës ka luajtur padyshim monedha amerikane që në disa javë ka pësuar një ulje të ndjeshme. Por OPEK paralajmëron se nëse monedha e gjelbër fuqizohet do të ndikojë padyshim në çmimet e naftës veçanërisht nëse kuotat e prodhimit nuk ndryshojnë. Luhatshmëria ekstreme e çmimit të naftës gjatë tetëmbëdhjetë muajve të fundit nuk ka dhënë shenja stabilizimi, ndërkohë që çmimi është dyfishuar që nga fillimi i këtij viti, pavarësisht ekonomisë jashtëzakonisht të dobët. Destabiliteti i çmimeve të naftës dhe gazit po vënë në vështirësi zyrtarët e qeverive dhe analistët, të cilët kanë frikë se një luhatshmëri e tillë mund të vendosë nën rrezik rigjallërimin ekonomik botëror. Ato po pengojnë gjithashtu kompanitë dhe konsumatorët, të cilët po përballen me efektet e koncesionit, ndërsa përpiqen të parashikojnë se sa mund të jetë çmimi pas një apo dy vjetësh. Vrapimi i çmendur i naftës ndodhi gjatë 12 muajve të fundit. Verën e kaluar, çmimet fluturuan në 145 dollarë për fuçi, ndërsa ranë në dhjetor në 33 dollarë për shkak të krizës. Por qe nga janari, çmimi i saj është dyfishuar sërish në duke i kaluar 80 dollarë. Në total, asnjë konsumator apo biznes nuk është në gjendje të bëjë plane afatgjata për shkak se ecuria e çmimit i lëndës djegëse e bën shumë të pasigurt jetesën. Për pasojë pasiguria në ekonomi rritet dhe njerëzit tentojnë të mbrojnë veten, duke ulur konsumin.