Kasat përplasin biznesin me tatimet, të jashtëligjshme kasat pa numër serie
Tatimorët: Bizneset me kasë pa numër serie, gjoba deri në 1 milionë lekë Ligji për pajisjen me kasë fiskale për bizneset e mëdha, ka skaduar në 31 dhjetor të vitit të shkuar. Kjo ka sjellë aksionet e njëpasnjëshme të inspektorëve tatimorë për kontrollin e bizneseve. Ky aksion nuk prek vetëm bizneset që kanë shkelur këtë urdhër, por edhe bizneset të cilat janë pajisur me kasë prej kohësh, por që nuk e kanë blerë kasën nga firma e cila fitoi tenderin. Vetë tregtarët shprehen të pakënaqur nga kjo lloj sjelljeje, pasi sipas tyre kasat që ata kanë
aktualisht në përdorim, janë të pajisura me pullë fiskale nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si dhe janë koaliduar në doganë në momentin e hyrjes. Por Ministria e Financave nuk njeh asnjë kasë tjetër përveç atyre që shpërndahen nga firma fituese e tenderit Iva elektronik. Ku nga të dhënat e kësaj firme, deri më tani janë shpërndarë vetëm 2500 kasa nga 10 mijë të tilla. Drejtoria e Përgjithshme e i cilëson të papajisur me kasë, biznesin i cili nuk është i pajisur me kodin e vënë nga kompania fituese e tenderit. Kjo sipas bizneseve konsiderohet një vjedhje, pasi çmimi që duhet për pajisjen me kasë kap kuotën e 600 mijë lekëve, në një moment kur marrja e saj nga vendet e tjera të Europës si dhe koalidimi në doganat shqiptare dhe në DPT nuk e kalon shumë e 20 mijë lekëve të reja. Pra kasat e marra nga bizneset edhe para se të dilte urdhri për pajisjen me kasë, kanë dalë jashtë përdorimit. Nga të dhënat e marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, janë gjobitur 920 biznese në qarkun e Fierit, të cilat nga ana e kontrollit të ushtruar nga inspektorët kanë rezultuar të papajisura me kasa fiskale. Gjithashtu dhe në qarkun e Elbasanit janë gjobitur 175 biznese. Ndërkohë që një pjesë e mirë e bizneseve të gjobitura ankohen se nuk janë njoftuar nga ana e institucionit për skadimin e afatit. Por nga ana e DPT thuhet se të gjitha bizneset janë lajmëruar prej kohësh se ishte data 31 dhjetor e vitit 2009 data e skadencës së afatit për pajisje me kasë. Kjo situatë problematike nga ana e DPT komentohet se me shpalljen e kompanisë fituese të tenderit, ka dalë dhe një udhëzim i cili do të mbajë nën vëzhgim on line për 24 orë biznesin.UdhëzimiUdhëzimi në fjalë përcakton qartë rastet e përdorimit të kasave fiskale, të cilat do të regjistrojnë çdo shitje të kryer nga subjekti. Në faturën e lëshuar nga shitësi do të ketë brenda të dhëna mbi mallin si dhe diferencën e krijuar nga TVSH-ja. Kasat do të jenë gjatë gjithë kohës të lidhura on line me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në mënyrë që çdo veprim i subjektit të jetë i regjistruar. Ligji për vendosjen e pajisjeve fiskale është cilësuar nga qeveria si hap i suksesshëm në drejtim të uljes së informalitetit dhe evazionit fiskal. Përtej këtij suksesi, ajo çka vihet re në udhëzimin e Ministrisë së Financave është mungesa e sqarimit sesi do të veprohet me rastet kur pajisja nuk mund të punojë për shkak të mungesës të energjisë elektrike. I vetmi sqarim që jep ministria lidhet me prishjen e pajisjes për arsye të ndryshme, dhe për këtë do ti jepet subjektit një bllok tatimor, me numër serial. Subjekti privat nuk ka të drejtë të ndërhyjë te pajisja në rast se ajo nuk funksionon. Për rregullimin e kasës fiskale do të njoftohet shoqëria e autorizuar për shërbimin në fjalë, e cila ka dalë fituese në tenderin për fitimin e kësaj të drejte. Një tjetër risi e udhëzimit, e cila lidhet me ligjin e ri për procedurat tatimore, është vendosja e sanksioneve për rastet e mospasjes së faturës. Shitësi e ka për detyrë të pajisë klientin me faturë, e cila duhet të ruhet për të paktën deri në 100 metra distancë nga vendi i blerjes së mallit. Në të kundërt, do të vendoset gjobë nga inspektorët tatimorë në masën 1 mijë lekë të reja. Kjo vlen për blerjet e vogla, që kryhen zakonisht gjatë aktivitetit të ditës nga çdo individ. Sa i takon kasës fiskale, memoria e saj arrin deri në 1800 fatura në ditë. Subjekti nuk mund ta përdorë sërish kasën pa shkarkuar më parë të gjithë memorien në prani të shoqërisë së autorizuar për këtë shërbim.Taulant Halili
Last Updated on E Marte, 12 Janar 2010 22:35