E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave bllokon pronat e Kadi. Rayyan: Eshtë e paligjshme

• TIRANE – Hamzeh Abu Rayyan reagon pas bllokimit nga Ministria e Financave të dyqaneve, pronë e Yasin Kadi, të cilat i administron ai.

Në një njoftim të publikuar mbrëmë nga avokatja Liljana Ruli, thuhet se Ministria e Financave shkel ligjin në mënyrë arbitrare, duke synuar të dëmtojë interesat e biznesmenit Yassin Kadi. Sipas saj, që prej datës 31 janar të këtij viti, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara në Ministrinë e Financave, ka nisur një sulm të paprecedent ndaj pronave të Yassin Kadi dhe qiramarrësve të tyre. “Punonjësit e kësaj agjencie, në mënyrë të dhunshme, pa asnjë dokument zyrtar njoftimi u kanë kërkuar qiramarrësve të objekteve në pronësi të zotit Kadi, që të prishin kontratat ligjore dhe të nënshkruajnë kontrata të reja, kësaj here me partner Ministrinë e Financave. Në një mënyrë skandaloze prezantimi, inspektorët e shtetit u kanë lënë për njoftim qiramarrësve disa copa letrash me shkrim dore, ku ishin të shënuara disa adresa interneti, ku ata mund të gjenin bazën ligjore mbi të cilën po kryhej ky veprim”, thuhet në deklaratën e Rulit. Më tej mbrojtësja e Hamzeh Abu Rayyan,  administratori i pronave të shoqërisë “Loxhall”, njëra nga shoqëritë e Kadi në Shqipëri, si dhe përfaqësueses me prokurë të tij, pohon se nuk iu është dërguar asnjë shkresë zyrtare mbi fillimin apo kryerjen e veprimeve të tilla. “Pasi është marrë dijeni mbi këto veprime, i është kërkuar drejtuesit të AAPSK të vepronte në mënyre zyrtare, duke njoftuar Abu Rayyan dhe përfaqësuesen e Kadi në përputhje me ligjin dhe praktikën administrative, për të gjitha veprimet që po kryhen nga ana e tij. Megjithatë, nga ana e kryeadministratorit nuk është kthyer asnjë përgjigje zyrtare, por ka vijuar me sulmin ndaj pronave që administrohen nga Rayyan”, thotë mbrojtësja. Ndërkohë gjatë ditës së sotme pritet që te Krimet e Rënda të zhvillohet seanca e radhës së procesit në ngarkim të Abu Rayyan, ku mbrojtja pohon se do të paraqesë kërkesën për marrjen e masave nga gjykata për të ndaluar veprimet e fundit të inspektorëve të financave. Gjithashtu dje mbrojtja pohoi se qiramarrësit e pronave të Kadi, kanë refuzuar të nënshkruajnë kontratat e reja, pasi ata janë duke zbatuar një kontratë që është nënshkruar më parë, me pronarin legjitim të atyre pronave.                           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›