E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në psikiatri, theu portën e Presidencës

• TIRANE - Mjekim i detyrueshëm në psikiatri ishte masa e sigurisë që Gjykata e Tiranës vendosi dje për Mevlan Fejzajn, 51-vjeçari nga Patosi që përplasi portën e Presidencës dy ditë më parë.

Para gjyqtarit të gatshëm të kësaj jave, Fejzaj pohoi se kishte dijeni se prej disa vitesh përgjohej dhe se persona të dyshimtë, të cilët për më tepër e gjurmonin dhe survejonin çdo ditë. Duke mos pasur mënyrë tjetër për t'i shpëtuar kësaj gjendje, Fejzaj pohoi se do i drejtohej kreut të shtetit, takimi me të cilin ishte i pamundur në rrugë tjetër vetëm se të futej me forcë me makinën e tij. Pasi dëgjoi pretendimet e të pandehurit, prokurorja që kishte drejtuar hetimet paraprake pohoi në gjykatë se Fejzaj kishte probleme psikike, shkak për të cilin duhet të mbyllej në psikiatri. Pas kësaj ky ishte edhe vendimi i gjykatës, sipas të cilit 51-vjeçari nga Patosi do të qëndrojë në psikiatri derisa të përfundojnë hetimet ndaj tij. Ngjarja e rëndë që alarmoi rojet e institucionit të kreut të shtetit ndodhi mesditën e së dielës, kur rreth orës 11:30 salla operative e policisë së kryeqytetit mori një telefonatë nga Garda e Republikës, ku i është kërkuar të shoqërojnë një person që kishte hyrë forcërisht në Presidencë, madje duke përplasur edhe portën numër dy të hyrjes në këtë institucion. Policia pohoi dje se pak minuta para se të hynte forcërisht në Presidencë, Fejzaj ka komunikuar me ushtarët e Gardës që kryenin shërbim aty, të cilëve u kishte thënë: "I thoni Presidentit të më japë pak atë dosjen time". Kjo kërkesë ka habitur gardistët, ndërkohë Fejzaj ka kthyer me shpejtësi makinën e tij tip "Benz 200" me targë FR 5462 C drejt portës numër dy të institucionit, duke hyrë brenda. Pas kësaj u mësua se ai kishte ardhur në Tiranë për t'u kuruar.    fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›