E Diel, 1 Nëntor 2026

“U zhdukën 1.3 milionë USD, mbetëm pa rrugë”

• FIER - Banorë të komunës së Potëzës kanë protestuar dje përpara Prefekturës në Fier.

 Shkak i protestës ka qenë mospërfundimi i rikonstruksionit të rrugës së Krapsit, rrugë që lidh fshatrat e kësaj komune me qytetin e Fierit. "I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare dhe deputetit të zonës, Blendi Klosi, për më shumë transparencë në zbatimin e projektit të rrugës Kraps-Lalar", janë shprehur banorët në protestën e tyre. Mësohet se rikonstruksioni i kësaj rruge me një gjatësi prej 13 kilometrash ka filluar më 30 qershor të vitit 2005. Punimet për ndërtimin e saj ishin marrë përsipër nga firma "Gjikuri", e cila ishte kontraktuar nga Ministria e Transporteve. Fondi i dhënë nga kjo ministri për ndërtimin e kësaj rruge arrinte vlerën e 1.3 milionë dollarëve. Edhe pse, sipas kontratës data 31 dhjetor të vitit 2006 duhet të ishte data e përfundimit të këtij aksi, rruga nuk ka përfunduar ende. Sipas banorëve, punimet kanë ndaluar vetëm pas rikonstruksionit të vetëm 500 metrave rrugë. Në protestën e djeshme banorët, që i përkisnin fshatrave Mbyet, Plyk, Lalar dhe Kraps kanë kërkuar transparencë për destinacionin e fondit të lëshuar nga qeveria që në vitin 2005, pasi fondi është akorduar por investimet në rrugë nuk janë bërë ende. "Rruga është bërë krejtësisht e pakalueshme. Në të nuk arrin dot të kalojë as tanku jo më makinat familjare. Eshtë e tmerrshme, të jetosh vetëm 5 kilometra larg qytetit dhe të përballesh me një katastrofë të tillë në infrastrukturë", është shprehur një nga protestuesit për gazetën. Bëhet e ditur se dy muaj më parë është njoftuar kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili në përgjigjen për banorët ka pohuar se, "kjo rrugë do të rishikohet dhe do të rikonstruktohet". Protestuesit pohuan se, nëse problemi i tyre nuk merr zgjidhje pas kësaj proteste, ata do ta përshkallëzojnë atë. Pas protestës ka reaguar prefekti, i cili u ka premtuar banorëve se për gjashtëmujorin tjetër të këtij viti mbi këtë rrugë do të vihet dorë duke rikthyer normalitetin në qarkullim.                  m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›