E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave fiton të drejtën e përgjimit të telefonatave

Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet në ligjin e telekomunikacioneve. Mungesa e opozitës në Kuvend, maxhoranca kalon lehtësisht ligjin

Eljona Ballhysa
Ministria e Financave do të ketë të drejtë të përgjojë telefonatat ashtu sikurse institucionet e krijuara me ligj si SHISH-i, Ministria e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes. Ky vendim është marrë dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, i cili miratoi ndryshimet e propozuara nga Ministria e Financave në ligjin “Për përgjimet telekomunikative”, që është depozituar në Kuvend që në muajt janar-shkurt të vitit të kaluar. Projektligji në fjalë arriti në atë periudhë të miratohej në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, por nuk u shqyrtua në Komisionin e Ligjeve për shkak të qëndrimit kundër të opozitës. Përfaqësuesit e opozitës në atë e kohë e konsideruan ligjin në kundërshtim me Kushtetutën dhe që synon të godasë në mënyrë selektive bizneset. Por, mungesa e opozitës në Kuvend ka bërë që maxhoranca ta kalojë lehtësisht këtë ligj duke i dhënë të drejtë Ministrisë së Financave që të përgjojë telefonatat që lidhen me sektorin e tatimeve dhe doganave të rastet kur kanë dyshime për evazion fiskal apo korrupsion.
Projekti
Me këtë projektligj kërkohet që Ministria e Financave të përfshihet ligjërisht tek organet që mund të bëjnë përgjime për veprimtarinë e organeve tatimore dhe doganore. Kjo duke pasur parasysh faktin se ministri i Financave ka në dispozicion forca policore që veprojnë me atributet e oficerit të Policisë Gjyqësore. Më konkretisht, parashikohet vënia në lëvizje e një departamenti operativ hetimor pranë Tatim-Doganave për të investiguar veprimtarinë e tatimorëve dhe doganierëve. Gjatë diskutimit të tij në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, komision përgjegjës për këtë projekt, u dëgjuan edhe palët e interesuara, ku institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme u deklarua hapur kundër këtij projekti. Përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme në këtë komision u shpreh se projekti mundëson ngritjen e strukturave paralele, një strukturë me masa shtrënguese dhe me atributet e Policisë Gjyqësore. “SHISH-i, shërbimet informative/policore të Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Financave e çdo shërbim tjetër informativ policor i krijuar me ligj, si dhe ministritë që kanë në kompetencë forca policore që ushtrojnë funksione të Policisë Gjyqësore kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin për të siguruar të dhëna të domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore. Prokurori i Përgjithshëm ose prokurori i autorizuar prej tij ka të drejtë të nisë përgjimin pas kërkesës me shkrim të drejtorit të SHISH-it, ministrit të Brendshëm, ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Drejtësisë si dhe ministrit që ka në varësi shërbime informative/policore që ushtrojnë funksione të Policisë Gjyqësore”, - parashikohet në këtë ligj.
Komisioni
Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve deputetët e Partisë Demokratike e cilësuan këtë projekt në përputhje me Kushtetutën. Sipas deputetit Viktor Gumi, procedura është tërësisht e ligjshme dhe kushtetuese, pasi e drejta e përgjimit u jepet ministrive që kanë forca policore. “Procedura është tërësisht kushtetuese. Dispozita që kërkohet të ndryshohet dhe propozimi i bërë është në përputhje me Kushtetutën dhe me të Drejtën Ndërkombëtare të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë, aq më tepër kur kjo procedurë do të kryhet nga organet që kanë të drejtën e përgjimit”, - është shprehur Gumi.

PROCEDURAT PËR KRYERJEN E PËRGJIMIT
Organet që mund të kërkojnë kryerjen e përgjimit

1. Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë së Rendit Publik, të Ministrisë së Mbrojtjes, të Ministrisë së Financave, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore.
2. Asnjë prej institucioneve publike të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni nuk ka të drejtë të parashtrojë një kërkesë për përgjim për çështje ose veprimtari që nuk janë parashikuar me ligj në objektin e punës e të veprimtarisë së tyre informativo-gjurmuese.
Neni 7
Kërkesa për përgjim
1. Kërkesa për përgjim, e paraqitur nga subjektet e parashikuara në nenin 6 të këtij ligji, hartohet në dy kopje, një kopje e së cilës depozitohet pranë Prokurorit të Përgjithshëm dhe një e mban vetë institucioni.
2. Kërkesa përmban:
a) institucionin kërkues, emrat dhe funksionet e punonjësve që ndjekin procesin informativo-gjurmues;
b) gjeneralitetet dhe adresën e subjektit në proces informativo-gjurmues ose në ndjekje, si dhe adresën e mjedisit/mjediseve me të cilat lidhet kërkesa për përgjim;
c) përshkrimin e telekomunikimeve që do të përgjohen dhe të dhënat për operatorin e telekomunikacionit që i ofron shërbim subjektit që do të përgjohet;
ç) arsyet e përgjimit, si dhe bazën dokumentare ose materialin informativ ku mbështetet
kërkesa për përgjim;
d) argumentet që vërtetojnë se përgjimi është i domosdoshëm në situatën e krijuar dhe se të dhënat që kërkohen nuk mund të sigurohen me mjete të tjera;
dh) afatin kohor brenda të cilit kërkohet të bëhet përgjimi.

2 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›