Bojkoti i opozitës, Kuvendi shtyn seancën e parashikuar për në datën 1 tetor
Bojkoti që opozita i ka bërë punimeve të Kuvendit e ka vënë në vështirësi punën e këtij institucioni. Mungesa e opozitës ka sjellë shtyrjen e mbledhjeve të komisioneve parlamentare për shkak të mosarritjes së kuorumit të nevojshëm. Në ato raste, kur ka kuorum, mbledhjet bëhen formale ose zhvillohen debate fasadë nga vetë deputetët e maxhorancës, të cilët i miratojnë projektligjet pa ndryshime, ashtu si vijnë nga qeveria. Mungesa e opozitës në Kuvend po sjell jo pak anomali në punën e përditshme parlamentare, duke bërë që të mos ketë projektligje gati për t’u miratuar nga ana e Kuvendit. Kuvendi ndërkohë ka anuluar seancën e ditës së djeshme, të së enjtes, për shkak se komisionet nuk i kanë miratuar ende projektligjet. Në axhendën e datës 1 tetor ishte planifikuar votimi i disa projektligjeve. Kështu, në rendin e ditës, sipas kalendarit të punimeve, ishin parashikuar që të shqyrtoheshin projektligjet “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Për përgjimin e telekomunikacioneve”, “Për taksat kombëtare”. Përveç “Përgjimit të telekomunikacioneve”, projektligjet e tjera janë shqyrtuar dhe miratuar në seancën e së hënës. Komisionet nuk e kishin marrë në shqyrtim një projektligj të tillë. Vetëm dje Komisioni i Ligjeve u mblodh dhe miratoi projektligjin “Për Përgjimin e Telekomunikacioneve”. Nisur nga kjo situatë, Kuvendi vendosi që dje të mos zhvillonte seancë, por të mblidheshin komisionet parlamentare për të shqyrtuar projektligjet.
Kuvendi nis të mbledhë makinat e deputetëve
Ndonëse vetëm një ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për heqjen e automjeteve deputetëve, Kuvendi i Shqipërisë kishte vendosur kohë më parë afat për dorëzimin e tyre. Nëpërmjet një shkrese zyrtare, e cila mban datën 18 shtator, deputetëve u kërkohet të dorëzojnë brenda 21 shatorit makinat e tyre, në të kundërt do të bllokohen nga Policia e Shtetit. Data e lëshimit të vendimit dhe afati i përcaktuar për dorëzimin e automjeteve kanë skaduar disa ditë para se qeveria të miratonte ndryshimin e ligjit “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët e lartë dhe nëpunësit civilë”. Ligji, i cili redukton skajshëm përdorimin e automjeteve shtetërore nga ofiqarë të ndryshëm, duhet më parë të miratohet në Kuvend e më pas të hyjë në fuqi. Drafti i miratuar një ditë më parë në mbledhjen e qeverisë i sanksionon të drejtën e transportit vetëm Presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, ministrave etj. Ndërkohë, nuk u jep të drejtën e targës zyrtare asnjë zyrtari tjetër për transportin e tij.
2 Tetor 2009