Numri dy i grupit parlamentar, flet edhe për zhvillimet brenda Partisë Demokratike

“Fushata zgjedhore dhe riorganizimi i PD-së, në funksion të ripërsëritjes së fitores në 2009-n”
“Procesi i zgjedhjeve brendapartiake ka filluar. Ky proces bëhet në përputhje me afatet kohore statusore duke bërë edhe përshtatjet e duhura për të përgatitur Partinë Demokratike për fushatën e ardhshme zgjedhore. Në kuptimin e fundit, me ndryshimet e sistemit elektoral, del e panevojshme organizimi me nëndegë. Struktura bazë, si deri me sot, do të jetë seksioni për çdo qendër votimi dhe më tej grup-seksioni, që i korrespondon çdo komune apo rajoni bashkie. Një tjetër risi e parashikuar në statut, do të jetë edhe krijimi i Komitetit drejtues në rang qarku. Faza e parë e zgjedhjeve brenda PD-së, pra, për seksionet e grupseksionet, pritet të përfundojë brenda vitit, ndërsa faza e dytë për organet drejtuese të degëve është programuar të mbarojë në muajin janar të vitit të ardhshëm. Çdo gjë deri më tani po ecën sipas statutit dhe udhëzimit të miratuar nga Kryesia e PD-së. Si një fenomen paksa me evident se më parë është edhe rritja e kërkesave për anëtarësime të reja sidomos nga intelektualët e të rinjtë. Ky është në fakt një tregues domethënës i rritjes së besimit te PD-ja dhe qeverisja e saj, si edhe rritje e numrit të shqiptareve, që duan t’i bashkëngjiten këtyre arritjeve duke dhënë kontributin e tyre. Kjo fushatë zgjedhjesh, me analizat për mirëqeverisjen dhe me rigjallërimin e rifreskimin e strukturave drejtuese të të gjithë niveleve, do ta përgatisë më së miri PD-në për të siguruar suksesin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Dhe demokratët në vitin 2009 kanë për të qenë më të besueshëm në programin që do të paraqesin, pasi kanë mbështetjen e fuqishme të realizimeve në këtë mandat që po përfundojmë”.
...