Ministria e Financave, ja formula e pageses se tatimit mbi te ardhurat per biznesin e vogel

Tirane, 1 prill, 15:00, NOA-Ministria e Financave, ka sqaruar edhe nje herë sot lidhur me formulën e aplikimit për taksën e sheshtë për biznesin e vogël dhe implikimet e mundshme mbi të.
“Biznesi ‘x’ është i regjistruar si subjekt i taksës vendore mbi biznesin e vogël dhe realizon një xhiro vjetore prej 7 milionë lekë. Taksa vendore mbi biznesin e vogël llogaritet duke shumëzuar xhiron vjetore me shkallën tatimore prej 1,5% dhe paguhet në 4 këste të barabarta për çdo tremujor. Subjekti ‘x’ duhet të paguajë pranë komunës a bashkisë një taksë vjetore të barabartë me 7 milionë x 1,5%=105.000 lekë. Me përfundimin e vitit kalendarik subjekti duhet të dorëzojë pranë degëve të tatimeve një pasqyrë të të ardhurave dhe shpenzimeve dhe të llogarisë fitimin e tatueshëm e më tej tatimin përfundimtar.
Të supozojmë se subjekti ynë ka 6 milionë lekë shpenzime të zbritshme ku përfshihet kosto e mallrave dhe shërbimeve të blera, pagat, sigurimet shoqërore, qeratë, faturat e energjisë, telefonisë, amortizimin e aktiveve të qëndrueshme dhe çdo shpenzim tjetër të lejuar nga ligji. Diferenca mes të hyrave gjithsej dhe shpenzimeve të zbritshme na jep të ardhurat e tatueshme të cilat në rastin tonë do të ishin 7 mln – 6mln= 1 milionë lekë. E ardhura e tatueshme po te shumëzohet me shkallën tatimore prej 10% na jep tatimin real mbi të ardhurat personale që duhet të paguante subjekti: 1 mln x 10%=100.000 lekë. Por ndërkohë subjekti ka parapaguar 105.000 lekë pranë bashkive dhe komunave të cilat janë të zbritshme nga tatimi real.
Në rastin tonë subjekti ka paguar 105.000-100.000=5 mije lekë më shumë sesa duhet ndaj ligji thotë se në këtë rast subjektit i lind e drejta për të kërkuar rimbursim për tatimin e paguar tepër. “- ka dhënë një shembull, Ministria e Financave për të qartësuar opinionin publik.
Sipas këtij institucioni, ky rimbursim jepet nga fondet e pushtetit qendror dhe të ardhurat e bashkive dhe komunave nuk preken.
s.v/NOA