E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, forum serioz apo lojë vere ?

Martin Leka 

Një ndër “risitë” dhe që u konsiderua edhe një standard më shumë ditën e zgjedhjeve të 28 qershorit, ishin padyshim deklaratat respektive të Sali Berishës dhe Edi Ramës, përkatësisht kandidatët rivalë për kryeministër një ditë më pas. Këtyre deklaratave, të qeta dhe njerëzore, gjë që tregonin për herë të parë edhe një përgjegjshmëri dhe ndjeshmëri politike për t’u admiruar, u kishin paraprirë edhe deklarata të mëparshme respektive.  Sali Berisha kishte deklaruar publikisht, disa herë, se në rast të humbjes do ta pranonte atë dhe do t’i telefononte kundërshtarit e praktikisht do të tërhiqej nga drejtimi i partisë. Më tej kishte shkuar dhe kandidati tjetër për kryeministër, madje Rama kishte insistuar më parë edhe në statutin e partisë që drejton, se në rast të humbjes së zgjedhjeve, mandati i kryetarit të partisë binte automatikisht. Duke besuar këto dy deklarata, opinioni publik ishte përgatitur që me daljen e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve, Sali Berishën ose Edi Ramën do t’i shikonte thjesht si dy anëtarë të thjeshtë partie apo në “pension” partiak apo politik, siç jemi mësuar të shkruhet në zhargonin e përditshëm. Sigurisht, sytë i kishin të gjithë tek Berisha, të cilin do ta shihnin vërtet si një “pensionist”, pasi Rama kishte ende fatin të ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, një pozicion kredibël politik dhe ekzekutiv. Zgjedhjet tashmë kanë përfunduar! Rezultati zyrtar i tyre tashmë dihet. Sali Berisha ka fituar të drejtën e emërimit si Kryeministër dhe njëkohësisht të drejtën e formimit të qeverisë së re.
Praktikisht, Partia Socialiste i ka humbur zgjedhjet. Në variantin më ekstrem, PS-së nuk do t’i hynte në punë edhe një koalicion i supozuar me LSI, pasi rezultati do të rezultonte “nul”, i pamundur për të krijuar qeveri. Në këto kushte, pragmatizmi i palëve ka bërë të mundur një koalicion të ri. Për herë të parë gjatë këtyre viteve tranzicion të gjatë demokratik, do të ketë një koalicion ku përfshihen të djathtë e të majtë. Pa dashur të prekim këtë temë të “nxehtë”, ajo që mund të thuhet është pritja dhe durimi për të parë realisht efektet e saj. Por le të rikthehemi tek tema jonë, për fituesin dhe humbësin. Ajo që ende nuk artikulohet qartë dhe thuhet shpesh si nëpër dhëmbë, është dëshira e sforcuar për të mos pranuar humbjen përmes frazave në formë rebusi “Nuk kemi humbur, por as Sali Berisha nuk ka fituar”, apo “Nuk kemi fituar, por as nuk kemi humbur”, e të tjera kinezëri me lojëra fjalësh. Por, a e dinë socialistët se do të qëndrojnë edhe 4 vjet të tjera në opozitë? Ky është dhe problemi: ndërsa socialistët e thjeshtë e dinë këtë realitet tashmë, udhëheqësit e tyre në Tiranë ende nuk e dinë?!... Ky është një standard i cunguar dhe një përpjekje për të krijuar edhe njëherë “kultin” e kryetarit në PS, madje është një ulje e nivelit të këtij standardi që vendosi në zgjedhjet e 2005-ës pikërisht kjo parti. Në këto zgjedhje, ish-kryetari F. Nano, gjatë deklaratës së dorëheqjes së tij të parevokueshme nga kreu i Partisë Socialiste, edhe pse i cilësoi zgjedhjet pa standarde, nuk i përdori si alibi për të mbajtur postin e kryetarit. Madje, ai, kishte edhe komoditetin e statutit, i cili nuk e pengonte në asnjë pikë të tij vijimin e drejtimit të partisë edhe në rast humbjeje. Edhe në këtë pikë, nuk mund të ketë krahasim mes ish-liderit dhe liderit socialist, pasi ky i fundit, i bindur në fitoren e tij e ka përdorur edhe si sfidë futjen në statutin e partisë të pikës ku në rast humbjeje, mandati i kryetarit bie.  E gjitha sa thuhet, dëgjohet dhe shkruhet në PS dhe për PS, nuk është e vështirë të deshifrohet në frymën që ekziston për rikthimin e politikës së kultit të Njëshit dhe në mungesën e racionalitetit të argumentit. Shpresa për një ndryshim të madh, për një politikë të re, po rezultojnë në një regres dhe në një politikë më të vjetër se asaj të cilës i referohen në PS. Shembull për këtë janë dhe dialogët e zhvilluar pardje në Asamblenë e Përgjithshme, ku fjala më e përdorur mes palëve rezulton të jetë fjala “legen”, a thua se ka qenë jo mbledhje e një forumi serioz, por një lojë vere me “legena” në shatërvan?!... Pas gjithë kësaj fryme në lidershipin socialist për të gjetur alibi për mospranimin e humbjes dhe dëshirës së opinionit e qytetarëve -socialistëve kryesisht - që lidershipi i tyre të jenë racionalë e realë në përcaktimin e humbjes dhe shkaqeve, ekziston një “korracë” e cila ka formën e një “alizhi” të çuditshëm, ku përzihen të vjetër e të rinj, anëtarë e jo-anëtarë të PS (por deputetë), të cilët kanë vetëm një interes dhe synim: të kenë Ramën kryetar të PS-së përkundër çdo lloj çmimi për PS-në! Atëherë, jo pa humor, i bie që dikush në PS t’i “lutet” Sali Berishës të dorëhiqet?! Edhe alibi për këtë ka. Sepse Berisha ka fituar përkundër PS-së, por ka vetëm 70 deputetë(!)... (Humor politik në një skenë politike socialiste joserioze)... 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›