Task-Forcë, verifikim pasurisë së hetuesit që akuzohet për korrupsion
TIRANË - Njësia hetimore “Task-Forcë” në Prokurorinë e Tiranës po verifikon pasurinë e hetuesit Thoma Marina, i arrestuar pak ditë më parë në Durrës si i dyshuar për korrupsion. Burime pranë kësaj njësie, e specializuar për luftën kundër krimit ekonomiko-financiar, thanë të hënën për gazetën “Albania” se organi i akuzës ka bërë një kërkesë në Hipotekë dhe në institucionet bankare për të verifikuar pasurinë e hetuesit Marina, që akuzohet se ka marrë 10 mijë euro ryshfet për të “mbyllur” dosjen penale të një personi që kishte në hetim. Oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Durrës, Thoma Marina, u arrestua katër ditë më parë në zonën e Plazhit, me akuzën e “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Mësohet se ai ishte në hetimin e Task-Forcës që prej katër javësh.
2 Dhjetor 2008