E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: Borxhi, Shqipëria të vendosë shpejt

Ard Kola

Ekspertët e bankës: Nuk ka alternativë tjetër përveç uljes. E dhimbshme, por e nevojshme

ARD KOLA

Boll më. Shqipëria nuk ka kohë të mendojë se çfarë duhet të bëjë, por të vendosë të ulë borxhin, të targetojë si sektorët ku të investojë dhe të menaxhojë ato pak të ardhura që krijon. Nëse nuk merr masa, borxhi publik, në nivelin aktual 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto mund të rritet edhe më shumë, ndërsa vendi do të përjetojë efekte të pariparueshme në një kohë të gjatë.

Në raportin e fundit mbi 6 vendet e rajonit, ekspertët e Bankës Botërore i kanë kushtuar rëndësi edhe situatës ekonomike në vend, duke renditur disa tregues shqetësues dhe duke rekomanduar masa të shpejta, që sipas ekonomistit, Erjon Luçi, janë të dhimbshme, por të nevojshme.

Këto masa lidhen me kujdesin e shpenzimeve për paga dhe pensionet, si dhe me reduktimin e buxhetit, të cilat natyrshëm prekin aktivitetin e administratës, por edhe investimet publike. Për vitin 2012, Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike në nivelin 1.6 për qind, shumë larg synimit të qeverisë shqiptare, në nivel 4.3 për qind, ndërsa për vitin e ardhshëm, parashikohet një rritje në masën 2.6 për qind, gjithnjë në rast se nuk merren në konsideratë rekomandimet e bankës.

Shqipëria karakterizohet nga një borxh i lartë dhe performancë e dobët të të ardhurave. Tjetër fenomen negativ lidhet me disiplinën financiare, deficiti buxhetor dhe pagesat e prapambetura të sektorit publik. BB u referohet borxheve të qeverisë sa u takon firmave private, kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe të karburanteve. Viti 2012 konsiderohet i vështirë, ndërsa 2013-a parashikon sfida të vështira, nisur nga fakti se vendi do të përfshihet nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Borxhi publik i Shqipërisë u rrit pak më shumë në 58.4 për qind të PBB, afër kufirit ligjor prej 60 për qind, dhe pjesa e madhe që zë borxhi afatshkurtër është veçanërisht shqetësues, u shpreh në një video-konferencë nga Shkupi, ekonomisti për Ballkanin Perëndimor, Zeljko Bogetiç. Sipas tij, Shqipëria rrezikon të tejkalojë kufirin e borxhit prej 60 për qind të PBB nëse nuk ndërmerr masa të rëndësishme korrigjuese. Duke qenë përballë presioneve të rëndësishme fiskale dhe nivelit të lartë të borxhit, dhe sipas politikave të tanishme, vetëm Mali i Zi pritet të ketë një ulje të nivelit të borxhit gjatë kësaj periudhe, thotë eksperti.

Duke pasur struktura të ngurta shpenzimesh një korrigjim i tillë përbën një sfidë dhe mund të kërkojë vendime të vështira politike. Si hap i parë, objektivat e të ardhurave dhe burimet e financimit duhet të vlerësohen në mënyrë realiste dhe masat e ndërmarra në anën e të ardhurave dhe atë të shpenzimeve të hartohen për të zbutur ngadalësimin e rritjes ekonomike, përfundon analiza e Bogetiç.

Sektori financiar në 6 vendet e Ballkanit, Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë, mbetet në një situatë relativisht të mirë, por rreziqet janë rritur, veçanërisht për shkak të rrezikut të përhapjes më gjerë të krizës greke. Nuk është e tepruar për autoritetet të vazhdojnë tu kërkojnë bankave që të rrisin rezervat e tyre për ta bërë sektorin më rezistent, rekomandojnë ekspertët e BB-së. Sipas tyre, qeveritë e këtyre vendeve duhet ti kushtojnë vëmendje situatës së vështirë sociale dhe tendencave përkatëse, pasi po përjetojnë nivelet më të larta të papunësisë dhe varfërisë.

BB: Borxhi, Shqipëria të vendosë shpejt burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›